20 mars 2026, Shkup - Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, në intervistën e djeshme për Ditarin e Radiotelevizionit të Maqedonisë, theksoi se në kushte të pasigurisë globale, korrigjime të caktuara në projeksionet buxhetore janë të mundshme, por prioritet mbetet ruajtja e stabilitetit fiskal dhe mbrojtja e standardit të jetesës së qytetarëve.
Ajo theksoi se Ministria e Financave është e fokusuar në ruajtjen e deficitit buxhetor brenda kornizës së planifikuar, kurse mjetet do të destinohen drejt prioriteteve kryesore - pagesë të rregullt e pagave, pensioneve dhe ndihmës sociale.
“Por ajo që është në fokusin e Ministrisë së Financave është lufta për të ruajtur deficitin buxhetor aq sa ishte parashikuar për këtë vit. Sigurisht, në kuadër të kësaj duhet të projektohen kursime të caktuara aty ku ka hapësirë dhe të destinohen në mënyrë prioritare. Por duhet të theksoj se prioritet do të jetë gjithmonë pagesa në kohë e pagave, pensioneve dhe ndihmës sociale, e gjithë ajo që është e rëndësishme për të mbrojtur standardin e jetesës së qytetarëve”, theksoi ministrja. Qeveria po e monitoron me kujdes situatën dhe do të marrë vendime në përputhje me zhvillimin e krizës.
Ministrja theksoi se pasiguria rreth kohëzgjatjes së krizës është sfidë kryesore, duke pasur parasysh se qasje të ngjashme kanë edhe qeveritë e tjera, të cilat gjithashtu veprojnë me kujdes dhe në mënyrë të kushtëzuar.
“Fakti është se këtë vit duhet të servisohen detyrime mbi dy miliardë euro dhe kjo është diçka që duhet bërë në kohë. Si çdo amvisëri, kur merret kredi - pavarësisht nëse ajo kredi është banesore apo konsumatore - duhet ta shlyejmë atë. Nëse kjo nuk bëhet, vlerësimi i kredisë dhe stabiliteti financiar do të dëmtohen, dhe për këtë arsye nuk bëhet fjalë për opsionin e mosservisimit të detyrimeve”, tha ministrja.
Në këtë drejtim, u theksua se një pjesë e mjeteve sigurohet përmes rifinancimit, me ç’rast këtë vit është bërë zgjedhje strategjike që pjesa më e madhe te huamarrjes të jetë nga jashtë, në mënyrë që të lihet më shumë hapësirë që bankat vendase ta kreditojnë ekonominë.
Ministrja shtoi se kjo qasje është pjesë e projeksioneve buxhetore të planifikuar më parë dhe po dëshmohet si e justifikuar në kushtet e rritjes së risqeve globale.
Së fundmi, ajo theksoi se Qeveria do të vazhdojë të monitorojë me kujdes trendet ekonomike dhe do të miratojë vendime që do të sigurojnë stabilitetin ekonomik dhe do të mbrojnë qytetarët.