18 mars 2026, Shkup – Sot, ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Kocoska, realizoi takim me përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar, në të cilin u prezantuan arritjet më të fundit makroekonomike dhe politikat fiskale, si dhe projeksionet për periudhën e ardhshme.
Gjatë takimit, ku morën pjesë shefi i Misionit, Nick Gigineishvili dhe shefi i Zyrës së FMN-së në Shkup, Sebastian Sosa, u theksua se ekonomia maqedonase arriti rritje të qëndrueshme prej 3.5% në vitin 2025, me përshpejtim të aktivitetit ekonomik gjatë gjithë vitit dhe rritje prej 3.8% në tremujorin e fundit. Rritja u mbështet nga kërkesa e brendshme, veçanërisht nga konsumi privat dhe publik, si dhe nga kontributi pozitiv i eksportit neto, ndërsa investimet e ruajtën dinamikën solide në nivel vjetor.
Lidhur me lëvizjet e çmimeve, u theksua se të dhënat për periudhën janar-shkurt treguan tendencë stabilizuese, respektivisht ulje të inflacionit, por situata e sapokrijuar nga lufta në Lindjen e Mesme dhe çmimet e naftës paraqesin sfidë serioze për ekonominë globale.
Trende pozitive vërehen edhe në tregun e punës, ku papunësia po ulet, ndërsa pagat shënojnë rritje.
Fokusi i diskutimeve ishte te projeksionet dhe supozimet fiskale, të cilat parashikojnë konsolidim gradual fiskal, përforcim të menaxhimit të financave publike dhe ruajtje të nivelit të lartë të investimeve kapitale, si nxitësit kryesorë të rritjes ekonomike.
Deficiti buxhetor është projektuar të zvogëlohet në periudhën e ardhshme me qëllim të sigurimit të qëndrueshmërisë afatgjate të borxhit publik.
Gjithashtu, u theksua se në mënyrë të vazhdueshme bëhet monitorimi dhe analiza e gjendjes së mjedisit të jashtëm dhe mundësive të shtetit për të reaguar në mënyrë të përshtatshme me masa adekuate qeveritare.
“Prioriteti ynë mbetet ruajtja e qëndrueshmërisë fiskale, përmes konsolidimit gradual dhe menaxhimit të disiplinuar të financave publike, por njëkohësisht edhe përkrahja e aktivitetit ekonomik përmes ciklit të fuqishëm të investimeve dhe reformave strukturore”, theksoi ministrja Gordana Dimitrieska-Koçoska.
Bashkëbiseduesit përgëzuan angazhimin e dhënë ndaj stabilitetit makroekonomik dhe procesit të reformave, duke theskuar se politikat e tilla janë thelbësore për nxitjen e besimit dhe zhvillimin ekonomik afatgjatë.
Nga ana e përfaqësuesve të Fondit Monetar Ndërkombëtar u mirëprit edhe konsistenca në realizimin e deficitit buxhetor prej 4%, si konfirmim se politikat fiskale po lëvizin në drejtimin e duhur