19 mars 2026, Shkup – Sot, ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska nënshkroi Marrëveshjen e huasë midis Republikës së Maqedonisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Bankës Gjermane Zhvillimore KfW, si dhe Marrëveshjen e grantit shtesë midis Republikës së Maqedonisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe KfW-së.
Marrëveshja e huasë siguron 40 milionë euro mjete shtesë për zbatimin e fazës së dytë të investimeve në infrastrukturën arsimore, me fokus në përmirësimin e kushteve për qëndrim dhe mësim të nxënësve dhe studentëve, si dhe në rritjen e efikasitetit energjetik të ndërtesave publike.
Cikli i investimeve përfshin vazhdimin e rikonstruimit të konvikteve shtetërore të studentëve, ku konviktet “Kuzman Josifovski Pitu” dhe “Stiv Naumov” janë tashmë në fazë aktive të rikonstruimit, si dhe rikonstruimin tërësor të pjesës tjetër të konvikteve shtetërore të studentëve.
Paralelisht, do të realizohet edhe rindërtimi i shtatë shkollave shtetërore me qendra burimesh, të cilat luajnë rol kyç në ofrimin e arsimit inkluziv për nxënësit me nevoja të veçanta arsimore.
Gjithashtu, përmes Programit rajonal të efikasitetit energjetik për Ballkanin Perëndimor, të mbështetur nga Bashkimi Evropian është siguruar granti shtesë prej 1.25 milionë eurove. Këto mjete janë të destinuara për përgatitjen e dokumentacionit projektues, zbatimin e kontrollit energjetik, hartimin e projekteve të detajuara dhe zbatimin e procedurave të tenderimit, gjë që paraqet mbështetje të konsiderueshme për realizimin në kohë dhe me cilësi të lartë të investimeve.
Marrëveshjet u nënshkruan nga ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, ministrja e Arsimit dhe Shkencës prof. dr. Vesna Janevska dhe Pablo Obrador Alvarez, drejtor i Energjetikës për Evropën Juglindore dhe Turqinë në Bankën Gjermane Zhvillimore KfW.
Me nënshkrimin e marrëveshjeve, Ministria e Financave konfirmon angazhimin e saj strategjik për sigurimin e mjeteve financiare të favorshme për realizimin e investimeve kapitale me ndikim afatgjatë, si dhe përforcimin e partneritetit me institucionet financiare ndërkombëtare dhe Bashkimin Evropian.
Ky investim do të kontribuojë në përmirësimin e cilësisë së sistemit arsimor, përmirësimin e standardit të nxënsëve dhe studentëve, rritjen e efikasitetit energjetik të ndërtesave publike dhe uljen e emetimeve të dioksidit të karbonit, në drejtim të zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës