– Sot, ministrja e Financave Gordana Dimitrieska Koçoska mbajti fjalim në ngjarjen e Panairit të Tekstilit në Shtip, ku vuri në dukje përkushtimin e Qeverisë dhe Ministrisë së Financave për përkrahjen e sektorit real dhe industrisë së tekstilit, e cila punëson mbi 25.000 persona.
“Industria e tekstilit ka pasur gjithmonë një vend të rëndësishëm në ekonominë maqedonase. Ajo është e rëndësishme jo vetëm nga aspekti ekonomik, por edhe nga ai social dhe gjinor. Por, duhet të jemi realistë, respektivisht ky sektor përballet me sfida serioze, prandaj Qeveria do të bëjë çdo përpjekje për të siguruar një të ardhme stabile dhe moderne”, theksoi ministrja.
Ajo ritheksoi se Buxheti i vitit 2025 parasheh 250 milionë euro për përkrahjen e projekteve investuese të kompanive vendase, që do të shkaktojë një cikël të ri investimesh prej rreth 300 milionë eurosh. Mjetet janë siguruar përmes linjës së favorshme nga Banka Hungareze e Eksport-Importit, ku deri më tani janë plasuar në ekonominë vendase përmes Bankës Zhvillimore gjithsej 190.5 milionë euro, një pjesë e të cilave është në dispozicion edhe për sektorin e tekstilit.
“Këto mjete stimulojnë një cikël të ri investimesh, sjellin rritje të prodhimit, produktivitet më të madh dhe paga më të larta. Jemi të vetëdijshëm se kjo nuk mund t'i zgjidhë të gjitha problemet, por paraqet një hap të rëndësishëm drejt stabilizimit dhe modernizimit të industrisë", shtoi Dimitrieska Koçoska.
Ministrja në fjalimin e saj theksoi gjithashtu rëndësinë e Ligjit të Përkrahjes Financiare të Investimeve, i cili zbatohet përmes Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, ku përmes të cilit kompanitë vendase dhe të huaja marrin ndihmë transparente për vende të reja pune, pajisje moderne, kërkime dhe zhvillim, si dhe forcojnë bashkëpunimin me furnitorët vendas. Ligji stimulon veçanërisht investimet në rajonet më pak të zhvilluara, fakt ky që mundëson zhvillimin e ekuilibruar.
“Qëllimi ynë është që industria e tekstilit në Maqedoni të mos jetë simbol i pagave të ulëta, por i teknologjive moderne, proceseve inovative dhe një marke mode që do të njihet përtej kufijve tanë. Qeveria vijon të jetë e përkushtuar për përkrahjen e këtij sektori, respektivisht për paga më të larta, kushte më të mira pune dhe stabilitet për familjet që varen prej tij”, nënvizoi ministrja.