14 janar 2026, Shkup – Sot, ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska informoi në konferencën për shtyp se Ministria e Financave e realizoi me sukses ankandin për emetimin e euroobligacionit të 10-të, duke siguruar norma interesi historikisht të favorshme dhe besim të fuqishëm nga investitorët ndërkombëtarë, në rrethana të rritjes së pasigurisë globale makroekonomike dhe gjeopolitike.
Siç njoftoi Dimitrieska-Koçoska, huamarrja u realizua nëpërmjet dy transheve prej 500 milionë eurosh secila, respektivisht me afat maturimi 4 dhe 8 vjet, që paraqet një strukturë të projektuar me kujdes me qëllim të menaxhimit optimal të borxhit publik, përcaktimit të balancuar të maturimit dhe uljes së risqeve që lidhen me rifinancimin në periudhë afatmesme dhe afatgjate.
“Vendimi për këtë strukturë nuk është i rastësishëm. Ky është rezultat i një analize të detajuar të kushteve të tregut dhe strategjisë sonë për menaxhimin e përgjegjshëm të borxhit publik, me një qëllim të qartë – zvogëlimin e risqeve dhe sigurimin e stabilitetit më të madh fiskal. Rëndësi e veçantë i kushtohet faktit se u emetua me sukses euroobligacioni me afat maturimi tetëvjeçar, një afat që ishte arritur për herë të fundit mbi njëzet vite më parë. Ky rezultat, siç theksoi ministrja, paraqet sinjal të fuqishëm për besimin e rikonfirmuar dhe të përforcuar të investitorëve ndërkombëtarë në politikat makroekonomike, axhendën e reformave dhe stabilitetin institucional të vendit.
Siç shpjegoi ministrja në konferencën për shtyp, interesi i investitorëve ishte jashtëzakonisht i lartë dhe shumë herë tejkaloi vlerën e ofruar. Vetëm një orë pas shpalljes së treguesve të normës së interesit, kërkesa arriti në rreth dy miliardë euro. Përpara hapjes së tregut amerikan, libri i investitorëve tejkaloi tre miliardë euro, ndërsa pas hapjes së tij, oferta e përgjithshme arriti mbi katër miliardë euro. Gjatë këtij procesi morën pjesë mbi 150 investitorë globalë, duke përfshirë fondet kryesore pensionale, kompanitë e sigurimit dhe investitorët e tjerë të shquar institucionalë nga Gjermania, SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe vendet e Bashkimit Evropian.
“Si rezultat i drejtpërdrejtë i kërkesës së fuqishme, bazës cilësore të investimeve dhe momentit të duhur për të hyrë në tregjet ndërkombëtare, te të dyja transhetë u arrit margjina më e ngushtë e normës së interesit mbi euriborin referent krahasuar me të gjitha emetimet shtetërore në njëzet vitet e fundit. Norma e interesit për transhenë 4-vjeçare është 3.875%, ndërsa për transhenë 8-vjeçare është 4.75%, e cila, duke pasur parasysh nivelin aktual të lartë të euriborit, paraqet çmimin më konkurrues të huamarrjes që vendi ka arritur në dy dekadat e fundit. Në kushtet kur numri i madh i vendeve, duke përfshirë edhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian me vlerësime më të larta kreditore, marrin hua me norma interesi dukshëm më të larta, kushtet e arritura për vendin tonë konfirmojnë qartë besimin në strategjinë tonë fiskale dhe stabilitetin makroekonomik”, theksoi ministrja dhe shtoi se me emetimin e këtij euroobligacioni, kostot për sindikatën bankare dhe këshilltarët juridikë janë proporcionalisht më të ulëtat, krahasuar me të gjitha emetimet paraprake.
Siç theksoi ministrja, me qëllim të uljes së barrës fiskale dhe shfrytëzimit të kushteve të favorshme të tregut, paralelisht me emetimin e ri po realizohet edhe shlyerja e parakohshme e euroobligacionit që maturon në muajin qershor të vitit 2026, me ç’rast do të realizohen kursime të konsiderueshme që do të kompensojnë kryesisht kostot e huamarrjes së re.
Ministrja theksoi se Maqedonia aktualisht po merr hua me kushte që janë më të mira se shumica e vendeve në Ballkanin Perëndimor, me norma interesi afër minimumit rajonal dhe me interes jashtëzakonisht të fuqishëm nga investitorët, me ç’rast bëri krahasime me vendet nga rajoni më i gjerë, si dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian me vlerësime më të larta kreditore, të cilat kohët e fundit kanë marrë hua me norma interesi dukshëm më të larta.
“Hyrja në tregun ndërkombëtar të kapitalit në këtë periudhë ka karakter të veçantë strategjik. Përgatitjet filluan në tremujorin e fundit të vitit 2025, ku përfshihet komunikimi i vazhdueshëm me investitorët, analiza e detajuar e lëvizjeve të tregut dhe takimet e drejtpërdrejta me komunitetin e investitorëve. Në muajin nëntor në Londër para mbi 40 investitorëve u realizua prezantimi i investimeve , ndërsa në periudhën nga 11 deri më 12 janar të këtij viti u mbajtën takime me mbi 60 investitorë globalë, duke përfshirë fondet më të mëdha pensionale dhe kompanitë e sigurimeve nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian. Bank of America kishte rol udhëheqës në koordinimin e procesit të përgjithshëm”, theksoi Dimitrieska-Koçoska.
Mjetet e siguruara me këtë euroobligacion të planifikuar plotësisht në Buxhetin e vitit 2026 dhe në Strategjinë e rishikuar për menaxhimin e borxhit publik, do të destinohen për pagesën në kohë të euroobligacionit të emetuar në vitin 2020 në vlerë prej 700 milionë eurove, si edhe për servisimin e detyrimeve të tjera që maturojnë gjatë vitit aktual.
Ajo ritheksoi se emetimi i këtij euroobligacioni është plotësisht i projektuar dhe i planifikuar në Buxhetin për vitin 2026, si dhe në Strategjinë e rishikuar për menaxhimin e borxhit publik. Kjo do të thotë se, edhe pse vlera nominale e huamarrjes arrin një miliard euro gjatë vitit 2026, Ministria e Financave do të realizojë pagesën e detyrimeve mbi bazën e borxhit të jashtëm, në vlerë të përgjithshme prej rreth 893 milionë eurove. Ministrja gjithashtu potencoi se efekti neto mbi borxhin publik është dukshëm më i ulët dhe plotësisht i harmonizuar me kornizën fiskale afatmesme.
Në vitin 2026, detyrimet e përgjithshme për pagesën në tregun vendas dhe ndërkombëtar arrijnë rreth 1.563 miliardë euro; në vitin 2027 janë 1.579 miliardë euro; në vitin 2028 janë 1.971 miliardë euro; në vitin 2029 janë 1.304 miliardë euro; ndërsa në vitin 2030 janë 1.414 miliardë euro, ose gjithsej gjatë pesë viteve arrijnë 8.804 miliardë euro.
Prandaj, potencoi Dimitrieska Koçoska, se ky emetim ka rol të qartë në përcaktimin e balancuar të maturimit dhe në uljen e risqeve lidhur me koncentrimin e duhur të pagesave në vitet e caktuara.