26 shtator 2025, Shkup – Ministria e Financave po bën përpjekje për t’i krijuar kushte tregut të kapitalit, si një lloj motori i ekonomisë, që të punojë më fortë dhe më qëndrueshëm. Ai është burim energjie për kompanitë që duan të rriten, të inovojnë dhe të të hapin vende të reja pune, dhe nga këtu qëllimi ynë është që të krijojmë treg konkurrent, transparent dhe modern, që do të ndjekë standardet evropiane, por edhe që t’u përgjigjet nevojave të ekonomisë vendore.

Këtë porosi e dha ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska gjatë fjalimit të saj në hapjen e Konferencës Vjetore të Bursës së Maqedonisë që u mbajt në Ohër. Ajo në vazhdim theksoi se ky event tradicional është mundësi e mirë të shohim se ku jemi, ku po shkojmë dhe çfarë duhet të bëjmë që të jemi edhe më mirë, përkatësisht ngjarje ku bashkohen njohuritë e reja me eksperiencën, ku kompanitë vendore takohen me partnerët ndërkombëtarë dhe ku po lindin ide të cilat më vonë shndërrohen në projekte reale.
Duke deklaruar se tregu vendor, megjithëse i qëndrueshëm, ai është relativisht i vogël dhe shpesh i mungon likuiditeti, që është faktor krucial kur kompanitë kërkojnë mjete afatgjata, veçanërisht kompanitë e vogla dhe të mesme, ministrja kujtoi se një hap i rëndësishëm u ndërmor në muajin gusht me nënshkrimin e Memorandumit të bashkëpunimit mes ministrive të financave të Maqedonisë, Bullgarisë, Kroacisë, Hungarisë, Polonisë, Rumanisë, Sllovakisë dhe Sllovenisë.
“Me këtë hap, kemi treguar vendosmërinë tonë për të mos mbetur të izoluar, por për të qenë pjesë e rrjetit më të gjerë rajonal. Duke lidhur tregjet, u japim shans kompanive që sa më lehtë të mbërrijnë te kapitali, për të rritur konkurrueshmërinë dhe për të gjetur partnerë përtej kufijve të vendit. Në këtë mënyrë, jo vetëm që forcojmë tregun e kapitalit, por edhe nxisim ekonominë të rritet më shpejt dhe në mënyrë më të qëndrueshme”, theksoi Dimitrieska-Koçoska duke shpresuar se bashkëpunimi rajonal, përmes nënshkrimit të këtij memorandumi, do të sigurojë dispersion më të madh tregtar, përkatësisht do të rriten vëllimi dhe cilësia e tregtimit.
Para të pranishmëve ajo theksoi se paralelisht po punohet edhe në kuadrin rregullator dhe se janë miratuar ndryshime në dy ligje kruciale në këtë fushë - Ligjin e Instrumenteve Financiare dhe Ligjin e Prospektit dhe Transparencës së Emetuesve, me qëllim që të gjithë pjesëmarrësit të kenë kohë të mjaftueshme për t'u përgatitur dhe që reforma e parashikuar të zbatohet në mënyrë cilësore.
“Duam që sistemi të jetë i qëndrueshëm, i besueshëm dhe të funksionojë në interes të të gjithëve. T’i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë që hapen para nesh, të lidhemi më shumë, t’i besojmë më shumë njëri-tjetrit dhe të jemi më të guximshëm në hapat tanë”, theksoi ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska.
Konferenca vjetore është ngjarje tradicionale që organizohet nga Bursa e Maqedonisë, ku marrin pjesë përfaqësues të palëve kruciale në sektorin financiar.
Përveç ministres së Financave Dimitrieska-Koçoska, morën fjalën edhe drejtori ekzekutiv i Bursës së Maqedonisë Ivan Shteriev dhe kryetarja e Komisionit të Letrave me Vlerë Bujare Abazi, ndërsa në pjesën hyrëse, folën edhe guvernatori i Bankës Popullore Trajko Sllaveski dhe drejtori ekzekutiv i NLB Ljubljana - Slloveni Bllazh Brodnjak.