27 gusht, Shkup - Inflacioni është sfidë në të gjithë Evropën, por rritja e pagave në Maqedoni tejkalon rritjen e çmimeve, që do të thotë se standardi i jetesës nuk është ulur, theksoi ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, gjatë Ditarit në TV Sitel.
“Në vendin tonë, vetëm gjatë vitit të kaluar, kemi pasur rritje mesatare të pagave prej 10.1%. Njëkohësisht, inflacioni në muajin e fundit ishte 4.8%, që do të thotë se standardi i jetesës nuk është ulur, përkundrazi, rritja e pagave është më e lartë se rritja e çmimeve”, theksoi Dimitrieska-Koçoska.
Ministrja shpjegoi se Qeveria punon lidhur me masat afatshkurtra për t’i zbutur efektet e inflacionit, por fokusi kryesor është reformat dhe investimet strukturore afatgjate.
“Inflacioni është problem kompleks dhe nuk ka “shkop magjik” për ta zgjidhur atë. Në periudhë afatshkurtër, mund të zbatohen masa të tilla si fiksimi i çmimeve ose marzhet, por në periudhë afatgjate, nevojiten reforma thelbësore. Kjo është arsyeja se pse vazhdimisht theksoj se nevojiten investime të mëdha në bujqësi. Rritje më të mëdhe të çmimeve hasim te frutat dhe perimet dhe kjo është si pasojë e drejtpërdrejtë e prodhimit të pamjaftueshëm dhe kushteve klimatike. Inflacioni bazë është ai që krijon presionin më të madh ndaj çmimeve, veçanërisht përmes shërbimeve dhe hotelerisë. Ky është si rezultat i rritjes së pagës mesatare, kështu që nevojiten analiza më të hollësishme në mënyrë që të mund të bëjmë projeksione më realiste të inflacionit dhe në bazë të tyre, të miratojmë vendime përkatëse për politikën tatimore. Është e rëndësishme të theksohet se paga minimale u rrit për 5.6%, ndërsa paga mesatare për mbi 10%, kurse inflacioni është 4.8%. Kjo do të thotë se standardi i jetesës nuk është ulur, përkundrazi, ndryshe nga periudha kur opozita ishte në pushtet. Nëse i shikojmë të dhënat, atëherë pagat mesatare dhe minimale u rritën për rreth 35%, por çmimet e ushqimeve u rritën për 39%. Kjo tregon qartë se gjatë asaj periudhe, standardi i jetesës së qytetarëve u çrregullua, ndërsa tani kemi përmirësim”, shpjegoi ministrja.
Lidhur me kërkesën për pagë minimale më të lartë, ministrja theksoi se paga minimale është rritur për 5.6%, ndërsa ajo mesatare për mbi 10% dhe procesi i negocimit rreth pagës minimale të ardhshme po zhvillohet në kuadër të Këshillit social dhe ekonomik, me përkrahjen e Qeverisë.
“Atje punëdhënësit dhe sindikatat duhet të arrijnë marrëveshje, kurse Qeveria nuk ndërhyn në atë proces. Dua të sqaroj se pse është kështu, sepse disa paguajnë pagën, ndërsa të tjerët e marrin. Ata duhet të gjejnë zgjidhje të përbashkët”, theksoi ministrja.
Ministrja theksoi se lidhur me borxhin publik dhe huamarrjen, për vitin e ardhshëm janë planifikuar 950 milionë euro huamarrje, ku pjesa më e madhe është për rifinancimin e eurobligacionit të vjetër, ndërsa pjesa tjetër për financimin e deficitit buxhetor. Ajo nënvizoi se ekonomia po shënon rritje pozitive, ndërsa projektet infrastrukturore janë dëshmi e dukshme e investimeve reale dhe stabilitetit të politikës financiare.