25 gusht 2025, Zagreb - Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, mori pjesë në panel diskutimin e ministrave të Financave dhe Ekonomisë dhe përfaqësuesve të institucioneve nga vendet e Evropës Qendrore dhe Juglindore me temë “Përforcimi i tregjeve nacionale të kapitalit përmes iniciativave dhe bashkëpunimit të përbashkët".
Panel diskutimi u mbajt në kuadër të iniciativës së Ministrisë së Financave të Kroacisë për nënshkrimin e Memorandumit të mirëkuptimit mbi bashkëpunimin në zhvillimin e tregjeve të kapitalit midis Kroacisë, Bullgarisë, Hungarisë, Republikës së Maqedonisë së Veriut, Polonisë, Rumanisë, Sllovakisë dhe Sllovenisë.
Në fjalimin e saj, ministrja theksoi se përfitimi kryesor për Maqedoninë nga kjo iniciativë mund të përmblidhet me një fjalë - akses.
“Besoj fuqimisht se në afat prej dy deri tre vjetësh do t’i shohim përfitimet nga ky memorandum që do të reflektohen te sektori ynë i biznesit dhe kompanitë tona. Unë vij nga sektori privat dhe e di shumë mirë sa e vështirë është për një kompani që ta bindë bankën se ideja ose inovacioni i saj është mjaftueshëm serioz për të pasur sukses. Në kushte të tilla, tregu i kapitalit është e vetmja mënyrë që kompanitë të rriten më shpejt dhe të realizojnë potencialin e tyre”, theksoi Dimitrieska-Koçoska.
Ajo nënvizoi se integrimi u siguron kompanive tona, veçanërisht ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që janë shtylla e ekonomisë, të marrin numër më të madh investitorësh, burime të ndryshme kapitali dhe partneritete të reja ndërkufitare.
“Tregu ynë vendor është relativisht i vogël dhe i kufizuar në likuiditet. Prandaj, nëpërmjet kësaj iniciative, ne hapim derën për një treg shumë më të gjerë dhe mundësi më të mëdha financimi. Por, kjo nuk është vetëm çështje financash, por edhe besim dhe kredibilitet. Me integrimin, ne u afrohemi standardeve evropiane, duke përforcuar transparencën, parashikueshmërinë dhe besimin e investitorëve. Ky është një parakusht thelbësor për investime më të mëdha”, theksoi ministrja.
Ministrja potencoi se për një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, çdo hap drejt harmonizimit të rregullativës dhe thellimit të bashkëpunimit është gjithashtu hap më afër integrimit evropian.
“Një nga prioritetet tona kryesore është të sigurojmë akses më të lehtë për financimin e kompanive, veçanërisht ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Integrimi i tregjeve rajonale të kapitalit kontribuon drejtpërdrejt në përmbushjen e këtij prioriteti. Detyra më e rëndësishme për ne si Qeveri dhe ligjvënës është harmonizimi i mjedisit rregullator”, theksoi Dimitrieska-Koçoska.
Me këtë iniciativë, siç konkludoi ministrja, rajoni dërgon mesazh të qartë gatishmërie për bashkëpunim, zhvillim të përbashkët dhe krijim të një tregu të kapitalit më tërheqës dhe më të fuqishëm që do të punojë në interes të kompanive dhe investitorëve.