Pjesë e procesit të shqyrtimit të dokumentacionit projektues janë gjithsej 24 banka për shfaqjen e interesit lidhur me financimin e projektit për ndërtimin e hekurudhës së shpejtë si pjesë e Korridorit 10, nga të cilat 22 banka veçmë kanë marrë ftesë zyrtare për dorëzimin e ofertave. Po ashtu, edhe dy banka të tjera, respektivisht NLB-ja Slloveni dhe një bankë nga Dubai kanë shfaqur interes dhe momentalisht janë në fazën e analizës së materialeve të dorëzuara, tha ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska në podkastin “Ku janë paratë”, me gazetarin Goran Temenugov.
NLB Slloveni dëshiron të veprojë në formë konsorciumi dhe ne veçmë kemi dorëzuar kërkesë edhe tek ata. E njëjta gjë vlen edhe për bankën nga Dubai. Të gjitha këto banka janë të përfshira në proces, veçanërisht pas përfundimit të fazës fillestare. Mund të them se ka interes dhe gatishmëri të madhe për bashkëpunim të mëtejshëm, theksoi ministrja.
I gjithë dokumentacioni i pranuar nga “Hekurudhat”, përmes Ministrisë së Transportit dhe Qeverisë është dorëzuar te bankat e interesuara për t’u informuar rreth këtij projekti, për mbledhjen e informacioneve dhe përgatitjen e ofertave. Ministria e Financave mbetet e hapur për sqarime plotësuese dhe komunikim me të gjitha palët e interesuara.
Çdo gjë që është në dispozicion do ta ndajmë me qëllim që procesi të jetë transparent, të marrim oferta më konkrete dhe sigurisht normë interesi më të favorshme për shtetin, theksoi Dimitrieska-Koçoska.
Në lidhje me dinamikën buxhetore, ministrja sqaroi se nuk janë parashikuar mjete për këtë projekt as në Ribalancin e vitit 2025 dhe as në Buxhetin e vitit 2026.
Pagesat e para janë planifikuar për vitin 2027, gjë që është koordinuar dhe konfirmuar nga Ministria e Transportit dhe nga Kryeministri, theksoi ministrja.
Në lidhje me dinamikën e mëtejshme, ajo sqaroi mënyrën se si Ministria e Financave, pas marrjes së ofertave do kryejë analizë dhe do ta dorëzojë propozimin në Qeveri, më pas do të miratojë vendim përfundimtar për përzgjedhjen e ofertës më të favorshme. Më tej, do të vijojë përgatitja e Ligjit të Huamarrjes, miratimi i tij, si edhe procedurat për prokurimet publike nga ana e ministrisë resoriale kompetente.
Duhet të merret parasysh dhe periudha e përzgjedhjes, e cila ndikon në kornizën kohore. Prandaj, nuk mund ta parashikoj ekzaktësisht se sa kohë duhet për të gjitha hapat vijues. Por, ajo që është e rëndësishme është se viti 2027 është viti kur planifikohet tërheqja e parë e mjeteve, bëri të ditur ministrja Dimitrieska-Koçoska.