Sot, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut miratoi ndryshimet e Ligjit të Tarifave Doganore, me të cilin bëhet ulja e normave doganore për 67 mallra, kryesisht lëndë të para dhe repromateriale që përdoren kryesisht në industrinë vendore.
Njëkohësisht, hiqen detyrimet doganore për importin e mallrave me origjinë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Këto ndryshime janë pjesë e realizimit të Programit të punës së Qeverisë 2024-2028, që parashikon harmonizimin gradual të normave doganore me ato që janë në fuqi në Bashkimin Evropian, përshtatur me nevojat ekonomike të ekonomisë vendore.
Ligji është përgatitur në konsultim me Odat Ekonomike dhe paraqet vazhdimin e politikave të përkrahjes së komunitetit të biznesit. Qëllimi kryesor është rritja e konkurrencës, nxitja e eksportit dhe investimeve të reja, veçanërisht në industrinë e përpunimit, metalurgjisë, industrisë automobilistike dhe energjetikës. Ulja e normave doganore bëhet me 50% të diferencës midis normave ekzistuese dhe atyreve që aplikohen nga BE-ja, në përputhje me rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë.
Veçanërisht e rëndësishme është masa e uljes së normave doganore të baterive me litium-jon për ruajtjen e energjisë elektrike, që do sjellë zhvillim në sektorin energjetik, përmirësim të stabilitetit të sistemit elektroenergjetik dhe përkrahje në investimet e burimeve të ripërtëritshme.
Përveç kësaj, liberalizimi i plotë i importit të mallrave me origjinë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës synon ta përforcojë konkurrencën në tregun e brendshëm dhe përcjellë mesazh pozitiv ekonomik në tregtinë ndërkombëtare, duke inkurajuar kështu vendosjen e reciprocitetit dhe thellimin e partneritetit strategjik midis dy vendeve.