12 shtator 2026, Shkup – Agjencia Kreditore “Fitch” konfirmon sërish rejtingun kreditor të Republikës së Maqedonisë së Veriut në nivelin “BB+”, me perspektivë stabile, duke njohur perspektivat pozitive për rritjen ekonomike, aktivitetin e fuqishëm investues dhe procesin e reformave të ndërlidhur me anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Në raportin e fundit, “Fitch” konstaton se ekonomia e Maqedonisë po tregon stabilitet dhe se rritja reale ekonomike u përshpejtua në 4.3% në tremujorin e dytë të vitit 2026, e nxitur nga rezultatet e fuqishme në sektorët e ndërtimtarisë dhe industrisë përpunuese.
Është vlerësuar pozitivisht edhe dinamika e investimeve publike. Shpenzimet kapitale në periudhën janar–korrik të këtij viti shënuan rritje prej 40% në nivel vjetor, duke realizuar 46% të objektivit të rishikuar për të gjithë vitin ku sipas agjencisë, kjo pasqyron realizimin e fuqishëm të projekteve të mëdha infrastrukturore, përfshirë korridoret 8 dhe 10d.
“Fitch” pret që aktiviteti ekonomik të vazhdojë të mbështetet nga investimet e fuqishme publike dhe konsumi privat. Si potencial shtesë për rritje më të lartë në periudhën afatmesme, agjencia sheh potencialin e mëtejshëm të rritjes në vazhdimin e projekteve infrastrukturore dhe zbatimin e reformave në kuadër të instrumenteve të Bashkimit Evropian. Si faktorë që mbështesin rejtingun kreditor, “Fitch” sërish veçon treguesit më të favorshëm të qeverisjes dhe PBB më të lartë për banor krahasuar me vendet me rejting kreditor të krahasueshëm, si dhe përkushtimin ndaj procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, i cili vlerësohet si spirancë e rëndësishme reformash në periudhën afatmesme.
Sa i përket kornizës fiskale, “Fitch” vlërëson zbatimin e plotë të Ligjit të Buxheteve nga viti 2028, si dhe nevojën për konsolidim gradual fiskal, duke pritur uljen e deficitit në periudhën afatmesme. Agjencia vlerëson gjithashtu aktivitetet reformuese për përmirësimin e arkëtimit të të hyrave, përfshirë edhe vendosjen e e-faturës.
Agjencia vëren një strukturë relativisht të favorshme të borxhit të qeverisë së përgjithshme, duke pasur parasysh pjesëmarrjen e lartë të kreditorëve bilateralë dhe shumëpalësh, ndërsa pret që borxhi bruto i qeverisë së përgjithshme të stabilizohet në nivel mesatar prej 52.7% të PBB-së në periudhën 2026–2028, përkatësisht nën nivelin e përcaktuar.
Konfirmimi i rejtingut kreditor “BB+” me perspektivë stabile përbën sinjal të rëndësishëm për tregjet financiare ndërkombëtare dhe investitorët lidhur me stabilitetin dhe perspektivat e ekonomisë së Maqedonisë, veçanërisht në kushtet e sfidave të shtuara ekonomike dhe gjeopolitike globale.
Ministria e Financave vazhdon me politikat e orientuara drejt rritjes së qëndrueshme ekonomike, intensifikimit të realizimit të investimeve kapitale, reformave strukturore dhe konsolidimit gradual fiskal, me qëllim përforcimin e bazave ekonomike, konkurrueshmërinë dhe standardin e jetesës së qytetarëve.