9 tetor 2025, Shkup - Me qëllim të përforcimit të ekonomisë vendase, përkrahjes së kompanive vendase dhe krijimit të vendeve të reja të punës, Qeveria miratoi ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, me të cilat shfuqizohet lirimi nga TVSH-ja për dërgesat e porositura online me vlerë deri në 22 euro. Ndryshimet ligjore janë tashmë në procedurë parlamentare dhe zbatimi i tyre pritet të ketë efekte të drejtpërdrejta pozitive ndaj ekonomisë dhe punës së kompanive vendase.
Me këtë masë, afërsisht 4 milionë denarë në muaj, aq sa arrin qarkullimi në periudha të caktuara drejt platformave të huaja online, do të ridestinohen në ekonominë vendase. Këto mjete do të kontribuojnë në zhvillimin e kompanive lokale, krijimin e vendeve të reja të punës dhe pagesën e pagave më të larta për të punësuarit.
Kjo paraqet hap të rëndësishëm në mbrojtjen dhe përkrahjen e ekonomisë vendase, veçanërisht në rrethana të rritjes së globalizimit dhe tregtisë dixhitale.
Për më tepër, ndryshimet do të ndihmojnë në uljen e ekonomisë gri, duke pasur parasysh se sistemi i deritanishëm mundësonte abuzime, përkatësisht importin e mallrave të liruara nga tatimet që më pas shiten në tregun vendas.
Me këtë ndryshim, shteti dërgon sinjal të qartë për përkrahjen e kompanive vendase që krijojnë vlerë të shtuar dhe vende të reja pune.