14 maj 2026, Shkup – Bota po përballet me transformime serioze globale dhe në kushte të tilla nevojitet vizion i ri zhvillimi që bazohet në lidhjen e ekonomisë, ekologjisë dhe përgjegjësisë njerëzore. Çështjet ekologjike kanë karakter ekzistencial me ndikim të fuqishëm ndaj stabilitetit ekonomik, sigurisë energjetike, financave publike dhe të ardhmes së shoqërive tona.
Ekonomia e gjelbër është ekonomia e së ardhmes. Kjo u deklarua nga zëvendësministri i Financave Nikollçe Jankullovski në Forumin e 29-të Ekonomik Euroaziatik të organizuar nga Fondacioni Marmara në Stamboll.
“Sot jetojmë në kohë transformimesh serioze globale. Në vitet e fundit, bota është përballur me pandeminë, krizën energjetike, presionet inflacioniste, konfliktet gjeopolitike dhe ndryshimet klimatike. Të gjitha këto sfida kanë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonomi dhe në cilësinë e jetës së qytetarëve. Në kushte të tilla, të krizave të zgjatura dhe të vazhdueshme që kishin ndikim të fuqishëm mbi financat publike, përgjegjësia e qeverive është edhe më e madhe në gjetjen e balancit ndërmjet sfidave dhe nevojës për konsolidim fiskal”, theksoi zëvendësministri Jankullovski, në suaza të sesionit kushtuar përgjegjësisë globale dhe sfidave me të cilat përballet bota bashkëkohore me temë:„Të jetosh në një planet ku uji dhe gjelbërimi po reduktohen”.
Ai potencoi se Qeveria mbetet fuqishëm e përkushtuar ndaj ruajtjes së stabilitetit makroekonomik, disiplinës fiskale dhe zhvillimit ekonomik dhe se, në këtë kontekst, Ministria e Financave ka rol krucial në krijimin e politikave që sigurojnë buxhet të qëndrueshëm, mbështetje për ekonominë dhe investime në të ardhmen. Po ashtu, theksoi se çështjet ekologjike janë me karakter ekzistencial dhe se kanë ndikim të fuqishëm në stabilitetin ekonomik, sigurinë energjetike, financat publike dhe të ardhmen e shoqërive tona.
Gjatë fjalimit ai tha se në vitet e fundit nga buxheti janë ndarë mjete të konsiderueshme në investimet kapitale, si në infrastrukturë, energjetikë, digjitalizim, arsim dhe në tranzicionin e gjelbër dhe se kujdes i veçantë i është kushtuar pavarësisë energjetike dhe investimeve në në burimet e ripërtëritshme të energjisë, sepse ekonomia e gjelbër është ekonomia e së ardhmes.
“Sot, më shumë se kurrë, na duhet vizion i ri për zhvillim, vizion që do të lidhë ekonominë, ekologjinë dhe përgjegjësinë njerëzore. Nuk duhet të flasim për rritje ekonomike pa folur për qëndrueshmëri. Nuk duhet të flasim për të ardhmen pa investuar në gjeneratat e reja. Dhe nuk duhet të flasim për stabilitet global pa besim dhe bashkëpunim të ndërsjellë", nënvizoi zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankullovski.