3 nëntor 2026, Shkup – Më 3 nëntor 2026, Akademia e Financave Publike pranë Ministrisë së Financave organizoi trajnimin me temë “Hyrje në sistemin për mbrojtjen e interesave financiare të BE-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut”.
Trajnimi ishte i dedikuar për të punësuarit në institucionet shtetërore të përfshira në strukturat IPA, anëtarët e rrjetit AFCOS, si dhe përfaqësuesit e institucioneve kompetente dhe të përfshira në sistemin për mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Trajnimi u realizua nga eksperti i punësuar në Ministrinë e Financave.
Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen me bazat e sistemit për mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Evropian, strukturën e tij institucionale, kompetencat dhe përgjegjësitë e institucioneve të përfshira, si dhe mekanizmat për parandalimin, zbulimin dhe trajtimin e rasteve të parregullsive dhe mashtrimeve gjatë shfrytëzimit të mjeteve të BE-së.
Mbrojtja e interesave financiare të Bashkimit Evropian është parakusht i rëndësishëm për sigurimin e shfrytëzimit të ligjshëm, transparent dhe të përgjegjshëm të mjeteve evropiane. Në këtë drejtim, përforcimi i kapaciteteve profesionale dhe avancimi i bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet institucioneve kompetente kanë rëndësi të veçantë për funksionimin efikas të sistemit nacional për mbrojtjen e interesave financiare të BE-së.
Përmes organizimit të trajnimeve të tilla, Akademia e Financave Publike vazhdon të realizojë rolin e saj në avancimin e njohurive dhe kompetencave të të punësuarve në sektorin publik, si dhe në përforcimin e kapaciteteve institucionale në fushën e menaxhimit të financave publike.