10 shtator 2026, Shkup - Ministria e Financave, përmes Akademisë së Financave Publike, sot organizoi trajnimin me temë “Qarkorja buxhetore”, që synon përforcimin e kapaciteteve të shfrytëzuesve buxhetorë dhe avancimin e procesit të përgatitjes së buxhetit.
Trajnimi ishte i destinuar për përfaqësuesit e institucioneve të përfshira në procesin e planifikimit të buxhetit. Qëllimi ishte që pjesëmarrësit të merrnin udhëzime të qarta dhe praktike për përgatitjen e propozimeve buxhetore dhe zbatimin e drejtë të Qarkores buxhetore.
Në kuadër të trajnimit u prezantuan elementët kryesorë të Qarkores buxhetore, duke përfshirë supozimet makroekonomike, prioritetet strategjike dhe vlerat maksimale të shpenzimeve, si bazë për një planifikim buxhetor real dhe të qëndrueshëm.
Vëmendje e veçantë iu kushtua udhëzimeve dhe orientimeve për plotësimin e Qarkores buxhetore, si dhe aspekteve praktike gjatë plotësimit të formularëve përkatës. Përmes udhëzimeve konkrete, pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen më hollësisht me hapat dhe mënyrën e përgatitjes së dokumentacionit të nevojshëm.
Në trajnim u përfshinë edhe udhëzimet për plotësimin e Formularit për konceptin e projektit dhe Formularit për efektin fiskal që rrjedh nga Agjenda reformuese, me qëllim të kuptimit më të mirë të implikimeve fiskale dhe planifikimit të drejtë të projekteve dhe aktiviteteve reformuese.
Në pjesën përmbyllëse të trajnimit u mbajt një diskutim dhe sesion me pyetje dhe përgjigje, përmes të cilit pjesëmarrësit patën mundësinë të sqarojnë çështjet praktike dhe sfidat me të cilat përballen gjatë procesit të planifikimit buxhetor.
Me aktivitete të tilla, Ministria e Financave vijon të avancojë njohuritë dhe kapacitetet profesionale të institucioneve, duke kontribuar në planifikim më cilësor të buxhetit, menaxhim më efikas të mjeteve publike dhe rritje të përgjegjshmërisë dhe transparencës në menaxhimin e financave publike.