30 prill 2020, Shkup – Mbështetja e Bankës Botërore për Republikën e Maqedonisë së Veriut për përballje të pasojave të krizës së shkaktuar nga Covid -19, do të jetë rreth 140 milionë euro. Një pjesë e mjeteve do të destinohen për projektin e ri – “Projekt për veprim të shpejtë kundër Covid-19” në vlerë prej rreth 90 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër prej 50 milionë euro për masën e “mbështetjes financiare prej 14.500 denarë për çdo të punësuar” për punëdhënësit dhe kryerësit e pavarur të veprimtarisë. Kjo u diskutua gjatë Takimeve pranverore virtuale të FMN-së dhe Bankës Botërore, në takimin e zëvendëskryetarit për Evropën dhe Azinë Qendrore të Bankës Botërore Sirill Miller, zëvendëskryeministren dhe ministren e Mbrojtjes Radmilla Sheqerinska, zëvendësministren e Ekonomisë Milla Carovska, guvernatoren e Bankës Popullore Anita Angellovska Bezhovska dhe ministren e Financave Nina Angelovska.

Në takim gjithashtu mori pjesë edhe pasuesja e Millerit, Ana Bjerd e cila nga data 1 maj do ndërmarrë funksionin e tij, pas përfundimit të mandatit të tij.

Në diskutim, në mënyrë të hollësishme u prezantuan efektet e krizës globale të koronës në ekonominë maqedonase dhe u diskutuan masat ekonomike për ballafaqim me goditjen e pandemisë. Banka Botërore masat i vlerësoi si pozitive, me kohë dhe të targetuara që në kuadër të kopetencave të veta i ndërmarrin Qeveria dhe Banka Popullore.

Theksi u vendos gjithashtu në stabilitetin e sistemit financiar, me ç’rast kësaj radhe u theksua se kjo duhet të vazhdojë të jetë përparësi. Në këtë kontekst, u diskutua veçmas për aktivitetet dhe masat e Bankës Popullore në lidhje me stabilitetin e sistemit bankar, i cili është parësor për ruajtjen dhe forcimin e stabilitetit të përgjithshëm financiar. Deri më tani, masat e ndërmarra konsiderohen si garanci shtesë se do të ruhet stabiliteti dhe është veçanërisht e rëndësishme që sistemi të ketë aftësi të përballet me goditjen e cila është për shkak të rregullativës prudente, pjesa më e madhe është harmonizuar edhe me rregulloret evropiane.

Përgjigja përkatëse e bartësve të politikave në raport me sfidat e krijuara nga kriza e koronës janë sinjal i rëndësishëm i mbështetjes së Bankës Botërore për Maqedoninë e Veriut. Me 50 milionë euro nga Banka Botërore, do të  mbështetet masa me të cilën do të jepet mbështetje financiare prej 14.500 denarë për çdo të punësuar për pagesën e pagave në muajin prill dhe maj. Aplikimi për këtë masë fillon nga fillimi i muajit maj. Përveç, aspektit financiar, Banka Botërore gjithashtu mori pjesë  edhe në masën këshilluese për masën, ndërsa rekomandimet që janë bazuar në analizën teknike, përvojat nga krizat kryesore të mëparshme, por edhe mendimet e përmbledhura përmes konsultimeve me sektorin privat, së bashku me Maqedoninë e Veriut u përfshinë në kornizën kryesore të miratuar nga ana e Qeverisë.

Projekti i ri për veprim të shpejtë kundër pasojave të krizës së shkaktuara nga Covid-19, në vlerë prej 90 milionë euro, përbëhet nga dy komponentë. Komponenti i parë i përgjigjjes urgjente i referohet përforcimit të kapaciteteve shëndetësore për sigurimin e rritjes së kapciteteve për testim, ekspertizë teknike, pajisje laboratorike, pajisje mbrojtëse, pajisje dhe materiale ndihmëse mjekësore, rinovim të institucioneve shëndetësore, zhvillim të sistemeve që do të sigurohet zbulimi në kohë të rasteve dhe ndjekjen e kontaktit, në përputhje me udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, si dhe financimin e kontributit të sigurimit shëndetësor për kategorinë e prekur. Komponenti i dytë i mbështetjes së amvisërive është në lidhje me ofrimin e mbështetjes për transferime të amvisërive të prekur nga pasojat e Covid -19 dhe kompensim monetar për ata që kanë humbur vendet e punës së tyre si rezultat i krizës.

Në takim u shqyrtuan edhe projeksionet e Raportit të fundit ekonomik rajonal të Bankës Botërore, sipas të cilit parashikohet ngadalësimi i ekonomive të Ballkanit midis -3 dhe -5.6%. Sipas Bankës Botërore, Maqedonia e Veriut do të ketë ngadalësim më të vogël të ekonomisë midis -1.4% dhe -3.2%.

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Comments are closed.

Close Search Window