2 qershor 2021, Shkup – Në periudhën afatmesme, norma e rritjes ekonomike do të tejkalojë 5%, shkalla e papunësisë do të ulet në 8.6%, ndërsa shkalla e punësisë do të arrijë në 54.3%, paga mesatare do të rritet me normë mesatare prej rreth 4%, investimet bruto do të rriten deri në 36.2% në vitin 2026, ndërsa eksporti do të rritet me normë mesatare prej rreth 8.8%. Këto janë projeksione të pasqyruara në Strategjinë fiskale 2022-2024, me perspektivë deri në vitin 2026, me të cilën vazhdon praktika e mirë e vendosur nga Ministria e Financave me strategjinë fiskale të rishikuar paraprake për planifikim afatgjatë, me projeksione prej 5 në vend të 3 viteve.
Sipas skenarit bazë afatmesëm, rritja ekonomike në vitin 2021 është projektuar të jetë 4.1%, ndërsa në periudhën 2022-2026 parashihet rritje mesatare vjetore prej 5.4%. Skenari bazë bazohet në këndvështrimin se ekonomia do të rimëkëmbet në vitin 2021, me ç’rast do të vijojë intensifikimi i rritjes ekonomike. Përkrahja shtetërore përmes masave të ndryshme ekonomike do të vijojë në vitin 2021, me qëllim të përkrahjes së ekonomisë së brendshme për rimëkëmbjen e saj më të shpejtë dhe krijimin e bazës për rritje më të lartë ekonomike në plan afatgjatë. Lidhur me mjedisin e jashtëm, pritet stabilizimi gradual i zinxhirëve globalë të furnizimit, rritja e kërkesës së jashtme, ku së bashku me presionet e reduktuara të pandemisë në korniza globale pritet të ndikojnë pozitivisht në flukset e brendshme ekonomike në periudhën e ardhshme, si në shkëmbimin tregtar ashtu edhe në investime dhe konsum. Mjedisi i favorshëm ndërkombëtar dhe procesi i imunizimit masiv në vend, pritet të ndikojnë pozitivisht në pritshmëritë dhe besimin e subjekteve ekonomike në vend dhe prirjen për investim dhe konsum.
Investimet do të kenë rol të rëndësishëm në rimëkëmbjen e ekonomisë dhe intensifikimin gradual të saj. Rritja reale e investimeve bruto është projektuar 8% në vitin 2021, ndërsa në periudhën 2022-2026, investimet pritet të shënojnë rritje mesatare vjetore prej 8.8%. Rritja e investimeve bazohet në rritjen e pritshme të investimeve private, në kushtet e rritjes graduale të besimit të subjekteve afariste, fluksit hyrës në mënyrë më intensive të investimeve të jashtme, impulsit të pritur fiskal që do të kanalizohet përmes rritjes së shpenzimeve kapitale, por edhe rritjes së përkrahjes për zhvillimin e sektorit privat dhe përforcimit të konkurrencës, përkrahjes së veprimtarisë inovative dhe zhvillimit teknologjik të ndërmarrjeve.
Eksporti i mallrave dhe shërbimeve, me uljen e efekteve të pafavorshme ekonomike të pandemisë, rimëkëmbjen e zinxhirëve globalë të prodhimit dhe kërkesën e jashtme si dhe shfrytëzimin më të lartë të kapaciteteve prodhuese në vend, parashihet të ketë rritje reale prej 10.6% në vitin 2021. Në periudhën afatmesme, në kushtet e stabilizimit të pritur të rritjes së kërkesës së jashtme dhe rritjes së potencialit të eksportit në vend përmes fluksit hyrës së investimeve të jashtme, eksporti pritet të ketë kontribut të fuqishëm ndaj rritjes ekonomike, përkatësisht të ketë rritje mesatare vjetore reale prej 8. 8% në periudhën 2022-2026.
Sipas skenarit bazë makroekonomik, në vitin 2021 pritet rritja e numrit të të punësuarve prej 1%, ndërsa në periudhën 2022-2026 punësimi parashihet të rritet me tempo më të shpejtë, përkatësisht projektohet rritje mesatare vjetore prej 3.6%. Rritja e punësisë në këtë periudhë pritet të reflektohet në ofertën e fuqisë punëtore që projektohet të rritet me mesatare prej 1.7% në nivel vjetor. Zhvillimet e tilla në tregun e punës do të kontribuojnë që shkalla mesatare e papunësisë në vitin 2026 të ulet në 8.6%, ndërsa shkalla mesatare e punësisë të rritet në 54.3%. Rritja e pagës mesatare neto në këtë periudhë pritet të jetë 3.8% në nivel vjetor në bazë nominale, me perspektivë për intensifikim të moderuar (modest) të rritjes në raport me produktivitetin.
Politika fiskale në periudhën 2022-2026 karakterizohet me përpjekjen për përforcimin e mëtejshëm të menaxhimit të financave publike dhe qëndrueshmërisë fiskale, e cila duhet të kontribuojë në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe konsolidimin fiskal në etapa. Prioritetet afatmesme do të orientohen në përballjen me pasojat e pandemisë, përmes rritjes së vëllimit të investimeve me përkrahje të drejtpërdrejt të aktiviteteve të kompanive, përmirësimin dhe lehtësimin e klimës investuese, hapjen e vendeve të reja të punës përmes masave aktive për punësim, si dhe përkrahjen dhe zhvillimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme. Në periudhën afatmesme, fokusi i politikës fiskale vazhdon të jetë sigurimi i nivelit të konsiderueshëm të investimeve publike, si parakusht për përmirësimin e perspektivave ekonomike, si dhe një jetë më të mirë për qytetarët.
Të ardhurat e përgjithshme të Buxhetit të RMV (buxheti qendror dhe fondet) për periudhën 2022-2026 planifikohen në vlerë prej rreth 31.3% të BPV-së. Pjesëmarrja mesatare e shpenzimeve të përgjithshme të Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në periudhën 2022-2026 planifikohet të jetë rreth 34.4% të BPV-së.
Përpjekjet për konsolidim fiskal gradual mbeten prioritet, me ç’rast projektohet zvogëlimi gradual i deficitit buxhetor deri në 2.2% gjatë vitit 2026, përkatësisht 4.3% në vitin 2022, 3.5% në vitin 2023, 2.9% në vitin 2024, 2.5% në vitin 2025 dhe 2.2% në vitin 2026. Deficiti primar buxhetor (deficiti buxhetor pa pagesat e interesit,) gjithashtu do të zvogëlohet në mënyrë të vazhdueshme prej 3.0% të BPV-së në vitin 2022 deri në arritjen e nivelit prej 1.2% në vitin 2026.