24 gusht 2021, Shkup – FMN-ja i ka dhënë vendit tonë 134.47 milionë mjete si të drejta speciale për tërheqje ose rreth 162 milionë euro për përkrahje buxhetore. Fondet tashmë janë planifikuar në Buxhetin për vitin 2021 për zbatimin e masave për ballafaqim me pandeminë dhe për mbështetje të ekonomisë përmes Bahkës Zhvillimore me qëllim të zbutjes së efekteve të pandemisë dhe mbështetjes së ekonomisë vendore për rimëkëmbje të saj sa më të shpejtë. Këtë e theksoi ministri i Financave, Fatmir Besimi, në deklaratën e tij për televizionin Sitel.
Siç theksoi ministri Besimi, kishte negociata me FMN-në për një kohë të gjatë, pasi që institucioni financiar ndërkombëtar njoftoi pakon e re të përkrahjes në nivel botëror.
“Duke pasur parasysh faktin se këto mjete ndahen për përkrahje buxhetore, kjo do të thotë se FMN-ja ka besim në politikat dhe kornizën fiskale, që referohen përkrahjes ekonomike, rimëkëmbjes së rritjes ekonomike, por edhe konsolidimit fiskal”, theksoi ministri Besimi.
Me rishikimin e Buxhetit, fondet tashmë janë paraparë ku, siç pohon ministri, “ka rritje të pjesës së subvencioneve për përkrahje të ekonomisë, për kategori të ndjeshme të qytetarëve, por edhe të shpenzimeve kapitale në Buxhet, që në fakt do të thotë përkrahje për pjesën që ndahet për shëndetësinë dhe vaksinat, si dhe për masat ekonomike”.
Sipas procedurës, Ministria e Financave do të përpilojë ligj që do të dorëzohet në Qeveri dhe i cili duhet të votohet në Kuvend. Ministri i Financave, pret që ligji të miratohet sepse mjetet tashmë janë parashikuar me rishikimin e Buxhetit. Kjo, është e rëndësishme sepse do të hyjnë mjete shtesë në ekonominë tonë, që do të ndihmojnë në rimëkëmbjen e ekonomisë, por gjithashtu do të sigurohet përkrahje për masat e COVID –it përmes tyre.