22 shtator 2021, Shkup – Detektimi dhe zvogëlimi i ekonomisë gri në vend përmes lokalizimit preciz të sektorëve, ku më së shumti është përfshirë edhe përcaktimi i motiveve kryesore për ekzistimin e saj është qëllimi i projektit “Përkrahja e reformave lidhur me menaxhimin e financave publike”, që sot e promovuan Ministria e Financave dhe Programi për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP). Aktivitetet kryesore do të fokusohen në krijimin e veglave të reja dhe efikase në luftën kundër ekonomisë joformale. Në kuadër të këtij projekti, ekspertët vendas dhe të huaj tashmë punojnë mbi studimin e përcaktimit të shkaqeve dhe treguesve për zvogëlimin e ekonomisë gri.
Ministri i Financave, Fatmir Besimi, theksoi se: “Vetëm ndërmarrja e hapave për zvogëlimin e ekonomisë joformale nuk është e mjaftueshme, në qoftë se nuk kemi mënyrë për vlerësim preciz të efekteve nga hapat e tilla. Prandaj, aspekti kryesor në kuadër të studimit është zhvillimi i treguesve për vlerësimin e përhapjes së ekonomisë joformale në vend. Përmes treguesve për vlerësimin e nivelit të ekonomisë joformale do të mund të bëhet edhe evaluimi i hapave të ndërmarra për ballafaqim me të, me ç’rast do të mundësohet vazhdimi i masave që kanë dhënë rezultate, si dhe modifikimi i atyre që nuk kanë dhënë efektin e pritur”.
Projekti do të përqendrohet mbi aktivitetet dhe mekanizmat praktike në katër sfera prioritare edhe atë përmirësimi i procesit të vlerësimit, monitorimit dhe zbulimit të ekonomisë joformale, shërbime inspektuese më efikase, mjedis më i mirë afarist për rritje dhe zhvillim të kompanive dhe rritja e vetëdijes publike.
“Shumica e qytetarëve nuk janë të vetëdijshëm se “dora e padukshme” e ekonomisë gri në mënyrë direkte ndikon negativisht mbi cilësinë e jetës së tyre. Pikërisht për këtë, ne në UNDP me vendoshmëri jemi të përkushtuar në përkrahjen e përpjekjeve të Qeverisë për transformimin e sistemit nacional lidhur me menaxhimin e financiave publike dhe për krijimin e mjedisit më të favorshëm afarist që do të kontribuojë në zvogëlimin e ekonomisë joformale në vend”, deklaroi Sanja Bojaniq, zëvendëse e përfaqësueses aktuale të UNDP-së.
Projekti “Përkrahja e reformave lidhur me menaxhimin e financave publike”, përkrahet financiarisht edhe nga ekspertë të Ministrisë së Financave të Republikës Sllovake dhe nga Agjencia Sllovake për bashkëpunim zhvillimor.
“Programi bazohet në përvojën sllovake, sa i përket reformave të financave publike, posaçërisht në vendosjen e vazhdueshme të veglave të reja dhe efikase. Si pjesë e programit, ne siguruam ndihmë teknike, që bazohet para së gjithash në përvojën e Sllovakisë, por sigurisht edhe mbi përvojën e vendeve të tjera, sidomos në sferat ku Republika Sllovake nuk ka ekspertizë të mjaftueshme”, theksoi Henrik Markush, ambasador i Republikës Sllovake në vend.
Zëvendëskryeministri për luftë kundër korrupsionit, Lupço Nikollovski, theksoi se lufta kundër ekonomisë joformale kërkon qasje më serioze dhe më thelbësore, si dhe krijimin e masave dhe politikave me të cilat do zhduket kjo dukuri. “Plani i Qeverisë në luftën kundër korrupsionit përfshin masa që do të ndihmojnë jo vetëm në luftën e vazhdueshme kundër korrupsionit, por edhe në mënyrë të konsiderueshme kontribuojnë në përforcimin e sektorit të biznesit dhe relacioneve të tij dhe krijojnë kushte për funksionim të vazhdueshëm të kompanive sipas principeve të tregut. Masa më e re mbi të cilën punojmë aktualisht është Ligji për origjinën e pronës, risi që për herë të parë miratohet në vendin tonë dhe është e rëndësishme për hapjen e rrugës për konfiskimin e pronës së fituar në mënyrë jolegale dhe ka implikime mbi arkëtimin e tatimeve që hyjnë në buxhetin qendror. Nëse prona është fituar në mënyrë jolegale dhe është paraqitur në institucionet kompetente, pronarët do t’i shlyejnë detyrimet ndaj vendit, që rrjedhimisht do të ndikojë mbi zvogëlimin e evazionit tatimor” theksoi Nikollovski.
Ministria e Punës dhe Politikës Sociale Jagoda Shahpaska, informoi se bashkë me Agjencinë e Punësimit punojnë në drejtim të aktivizimit të tregut të punës sa i përket ekonomisë joformale. Përmes planit individual për çdo person që mund të punësohet, që e përgatisin Qendrat e punës sociale së bashku me APRMV-në dhe përmes rikualifikimit që ofrohet, krijohen kushte që çdo person që mund të punësohet, me përkrahjen e institucioneve, të marrë një vend pune të përshtatshme, që do të thotë ekzistencë dhe siguri.
“Detyra jonë përmes Strategjisë për formalizimin e punës joformale në periudhën 2018-2022 edhe përmes projektit të IPA-s – “Avancimi i kushteve të punës” është që ta nxisim krijimin e vendeve formale të punës, ta zvogëlojmë shkallën e punës së paparaqitur, por edhe të stimulojmë aktivitet ekonomik më të madh të grave në tregun e punës. Enti shtetëror i Statistikës shënon rënie të vazhdueshme të shkallës së punësimit joformal nga 24.3% në vitin 2011, deri më 13.6% në vitin 2020” theksoi Shahpaska.