23 prill 2022, Shkup – Në takimet me drejtorin ekzekutiv të Bankës Botërore Kun Davidse, nënkryetaren e Bankës Botërore Anna Bjerde, drejtoreshën rajonale të Ballkanit Perëndimor Linda Van Gelder dhe drejtorin e Bankës Botërore në vend, Massimiliano Paolucci, u shqyrtuan masat dhe politikat që zbaton vendi për ballafaqim me krizën e energjetike dhe të çmimeve, mundësitë dhe nevojat për përkrahje në zbatimin e këtyre masave, si dhe planet afatmesme për rikthim në rrugët e rritjes ekonomike.
“Konflikti në Ukrainë, kohëzgjatja e tij, pasiguria që imponoi, ndikon në ekonominë e vendit tonë, si dhe mbi çmimet e produkteve ushqimore bazë dhe energjensave, të cilat edhe paraprakisht shënuan rritje. Qeveria reagoi në kohë përmes pakos së masave prej 400 milionë eurove, me mjetet e siguruara në buxhet, por pa dyshim, zgjatja e krizës bën presion shtesë, me ç’rast paraqitet nevoja për mjete financiare shtesë, tha ministri Besimi, i cili po finalizon marrëveshjet rreth shfrytëzimit të instrumentit Përkrahje makrofinanciare nga Komisioni Evropian, si dhe përkrahje financiare nga FMN-ja, të cilat do të japin një sinjal të fortë për vazhdimin e mëtutjeshëm me politikat e mira makroekonomike.
Ai theksoi se Qeveria në periudhën afatmesme mbetet e impenjuar ndaj reformave strukturore, rritjes së përshpejtuar ekonomike dhe përmirësimit të standardit jetësor të qytetarëve. Është i padiskutueshëm fakti që pasojat ekonomike nga lufta në Ukrainë ndikojnë në projeksionet dhe në to është kryer revizion në rënie, duke ndjekur trendin e revizionit të projeksioneve në nivel global. Ndërkaq, Plani për rritje të përshpejtuar ekonomike, i vendosur vitin e kaluar nga Ministria e Financave dhe i miratuar nga Qeveria, është një udhërrëfyes i mirë për arritjen e synimeve tona afatmesme dhe njëkohësisht është vlerësuar pozitivisht edhe nga Grupacioni i Bankës Botërore.
Në takim u prezantua Plani me të gjitha elementet e tij, duke i përfshirë edhe instrumentet që duhet të vendosen. Grupacioni i Bankës Botërore, BERZH-i, IFC-ja dhe MIGA shprehën interes rreth mundësive për kyçjen dhe përkrahjen e tyre në aktivitetet që dalin nga ky plan.
Axhenda e gjelbër, dixhitalizimi, inovacioni dhe teknologjia, zhvillimi i kapitalit njerëzor, përmirësimi i infrastrukturës janë prioritete të përcaktuara nga Qeveria dhe të inkorporuara në Planin për rritje të përshpejtuar ekonomike.
Banka Botërore vijon të përfshihet në mënyrë aktive në zbatimin e aktiviteteve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të cilat janë të përcaktuara në Kornizën aktuale të partneritetit, por gjithashtu vazhdon me analiza të detajuara për sektorët e caktuar që do të reflektohen në diagnozën e re për vendin dhe nga të cilat do të rezultojnë fushat më të rëndësishme për bashkëpunim. Sigurisht, prioritetet e mësipërme do të përfshihen në Kornizën e re katërvjeçare të partneritetit me Bankën Botërore.
Ministri Besimi së bashku me përfaqësuesit e Bankës Botërore shqyrtuan dhe arsyetuan të gjitha projektet që janë pjesë e portofolit dhe shprehu besimin për realizimin e tyre të mëtejshëm në mënyrë të suksesshëm.
Nga Banka Botërore, në takim u inicua edhe nisma për ndarjen e mjeteve të reja në kuadër të Projektit për përmirësimin e shërbimeve komunale (MSIP), me qëllim të përforcimit institucional të komunave dhe projekteve për mbrojtjen e mjedisit jetësor, me ç’rast u tregua interes pozitiv nga ana jonë. Deri më tani përmes MSIP janë tërhequr mbi 90 milionë euro për projekte komunale.
Banka Botërore në Republikën e Maqedonisë së Veriut punon në mënyrë aktive në disa projekte të vlerësuara me rreth 500 milionë dollarë. Temë e këtij takimi ishte edhe realizimi i tyre dhe përshpejtimi i dinamikës së një pjese të tyre. Ndër to mund të cekim: Projektin për zgjerimin dhe zhvillimin e rrugëve, vendosjen e Sistemit të integruar informativ të menaxhimit të financave publike, Projektin e ndërlidhjes së rrugëve lokale, Projektin për administrimin e sigurimit social, Projektin për përmirësimin e arsimit fillor, Projektin për lehtësimin e tregtisë dhe transportit në Ballkan Perëndimor, si dhe Projektin për reagim ndaj situatave urgjente për Covid 19.
Republika e Maqedonisë së Veriut ka përkrahje të vazhdueshme nga Banka Botërore e cila është aktive në vend që nga viti 1993 dhe deri më tani ka përkrahur mbi 2.8 miliardë dollarë në realizimin e 65 projekteve.