23 nëntor 2022, Shkup – Republika e Maqedonisë së Veriut merr transhenë e parë prej 110 milionë eurove nga totali i aprovuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar përmes Instrumentit për përkujdesje dhe likuiditet (PLL). Mjetet bëhen të disponueshme menjëherë pasi që Bordi i Drejtorëve të FMN-së ta miratojë programin dy vjeçar të RMV-së në kuadër të Instrumentit për përkujdesje dhe likuiditet.
“Politikat që zbatojmë, i mundësojnë vendit që të ketë qasje në këtë instrument, që mundëson sigurimin e mjeteve me kushte shumë më të favorshme se sa kushtet aktuale në tregjet financiare. Kjo do të thotë se sigurohen mjete për politikat e planifikuara me rishikimin e buxhetit deri në fund të këtij viti, mjete për përballimin e goditjes eksterne, mjete për përkrahjen e qytetarëve dhe kompanive dhe mbi të gjitha, më e rëndësishmja është sigurimi i stabilitetit në furnizimin me produkte ushqimore dhe energjensa”, tha ministri i Financave, Fatmir Besimi.
Sipas ministrit, ky është konfirmim nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për politikat e qëndrueshme dhe të mirëfillta, të miratuara nga Qeveria gjatë periudhës së kaluar, në të cilën u ballafaquam me krizë, por edhe politikat që janë planifikuar për periudhën e ardhshme, të cilat determinohen drejt përshpejtimit të rritjes ekonomike në periudhë afatmesme.
Përndryshe, me vendimin e Bordit të Drejtorëve të FMN-së, RMV-ja ka qasje në gjithsej 530 milionë euro. Prej këtyre mjeteve 110 milionë euro do të tërhiqen menjëherë dhe do të shfrytëzohen deri në fund të këtij viti kalendarik, ndërsa transheja vijuese prej 155 milionë eurove do të shfrytëzohet gjatë vitit 2023. Pjesa tjetër sigurohet vetëm si masë parandaluese dhe rezervë për vendin.
Instrumenti për përkujdesje dhe likuiditet i FMN-së destinohet për vendet anëtare të këtij institucioni financiar ndërkombëtar që kanë baza të qëndrueshme ekonomike dhe që zbatojnë politika të tilla. Instrumenti u vendos në vitin 2011.