23 nëntor 2022, Shkup – Ministria e Financave dhe Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor sigurojnë 50 milionë euro përkrahje direkte financiare për komunat në Republikën e Maqedonisë së Veriut për realizimin e projekteve për përmirësimin e infrastrukturës ujore. Sot, u nënshkruan marrëveshjet për realizimin e këtij projekti nga ministri i Financave, Fatmir Besimi, nënkryetarja e BEI-t, Liljana Pavlova dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini, në prani të ambasadorit evropian David Gir.
“Kjo marrëveshje, e cila konfirmon përkrahjen e vazhdueshme të BEI-t për Republikën e Maqedonisë së Veriut, ofron 50 milionë euro të reja përkrahje direkte financiare për Qeverinë e RMV-së, që do t’u shpërndahet komunave dhe komunave të qytetit të Shkupit si donacion për realizimin e projekteve të infrastrukturës komunale. Ky projekt është pjesë e politikave të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për zhvillim të balancuar rajonal dhe pritet që përmes investimeve në infrastrukturën komunale të stimulohet zhvillimi i komunave në vend”, tha ministri Besimi gjatë nënshkrimit të marrëveshjeve.
Ai shtoi se kjo do të thotë përmirësim i kushteve të qytetarëve, veçanërisht në zonat rurale dhe përafrim i vendit tonë me standardet e BE-së.
Nënkryetarja e BEI-së thekson se ky është një investim strategjik për vendin me përkrahjen e ekipit evropian dhe është prioritet për sigurimin e kushteve më të mira të jetesës për qytetarët, si dhe për rrugën drejt BE-së dhe harmonizimin e standardeve evropiane. “Do të ndihmojë”, theksoi ajo, “për të siguruar mjete financiare për sektorin e infrastrukturës ujore dhe për t’u siguruar partnerëve tanë vendor një burim financiar afatgjatë për të plotësuar nevojat dhe qëllimet e tyre të qëndrueshme”.
Mjetet e siguruara nga kjo linjë kreditore do të realizohen përmes Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.
“Tashmë kemi filluar të identifikojmë nevojat e vetëqeverisjeve lokale dhe presim që ato të tregojnë pjekuri dhe kapacitete të mjaftueshme për të siguruar dokumentacionin e nevojshëm të projektit për të patur një zbatim të shpejtë dhe të suksesshëm, i cili nga ana tjetër do të varet nga tërheqja e investime të reja në dispozicion. Sigurimi i ujit të pijshëm të pastër për të gjithë banorët është një nga prioritetet kryesore në rrugën drejt Bashkimit Evropian”, tha ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini.
Mjetet financiare do të përdoren për rehabilitimin, modernizimin dhe zgjerimin e infrastrukturës së furnizimit me ujë, infrastrukturës së grumbullimit dhe trajtimit të ujërave të zeza, sistemeve të kanalizimit atmosferik dhe masave emergjente të mbrojtjes nga përmbytjet, si dhe për blerjen e pajisjeve të specializuara pëe mirëmbajtje.
Kushtet me të cilat do t’i ndahet huaja Republikës së Maqedonisësë Veriut janë jashtëzakonisht të favorshme. Periudha e shlyerjes është deri në 25 vjet, duke përfshirë periudhën grejs deri në pesë vjet.
BEI është partner i rëndësishëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut në realizimin e projekteve prioritare në fushën e energjetikës, lidhjes infrastrukturore, tranzicionit të gjelbër, si dhe në rritjen e konkurrencës së kompanive vendore.
Që nga viti 1991, BEI ka përkrahur ekonominë tonë me mbi një miliard euro investime në projekte kyçe të infrastrukturës, si dhe ka përkrahur kompanitë e vogla dhe të mesme, ndërsa aktualisht përkrahja e saj në projektet e sektorit publik është rreth 200 milionë euro.