10 janar 2023, Vjenë – Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut zbaton politika të qëndrueshme që reaguan në mënyrë të duhur ndaj krizës dhe vendosin bazat për zhvillim të mëtejshëm afatgjatë.
Udhëheqim politikë prudente fiskale që mbron stabilitetin e financave publike dhe punojmë të përkushtuar në uljen e deficitit buxhetor, që këtë vit është projektuar në nivel prej 4.6% të PBB-së dhe vitin e ardhshëm duhet të shënojë rënie në nivel prej 3.4% të PBB-së.
Kjo u theksua nga ministri i Financave, Fatmir Besimi, në Forumin e Evropës Qendrore dhe Lindore të Euromanit, që mbahet në Vjenë të Austrisë.
“Për politikat që po zbatojmë, vendi ka marrë konfirmim edhe nga FMN-ja me mundësinë e qasjes në mjetet nga Programi i Likuiditetit dhe Përkujdesit (PLL). Politika prudente fiskale që po zbatojmë ruan stabilitetin e financave publike. Jemi të përkushtuar në uljen e deficitit buxhetor, i cili duhet të ulet në nivel prej 4.6% të PBB-së për këtë vit dhe duhet të ulet më tej në nivel prej 3.4% të PBB-së vitin e ardhshëm.
Konsolidimi fiskal do të arrihet nëpërmjet masave si në anën e të hyrave ashtu edhe në atë të shpenzimeve.Jemi të përkushtuar të punojmë në anën e të hyrave përmes reformës tatimore, kurse në anën e shpenzimeve përmes përkrahjes gjithnjë e më të targetuar. Kontribut shtesë në këtë axhendë reformash është edhe miratimi i Ligjit të ri të Buxheteve që ofron kornizë fiskale afatmesme, me definim të nivelit të deficitit dhe borxhit publik si ato në BE. Është thelbësore që politika jonë prudente fiskale të destinohet së bashku me rritjen e investimeve publike”, theksoi ministri Besimi.
Ministri Besimi shtoi se vitin e kaluar me qëllim të përballjes së goditjeve si rezultat i krizës energjetike dhe krizës së çmimeve, shteti duhej të siguronte 300 milionë euro. Për atë qëllim, u kërkuan mjete financiare nga FMN-ja përmes programit PLL dhe instrumenteve të tjera që ishin me kushte më të favorshme sesa emetimi i euroobligacionit. Monitorojmë zhvillimet në tregjet e kapitalit. Në vitin në vijim, duhet të sigurojmë mjete financiare në vlerë prej 800 milionë eurove si financim i jashtëm, prej të cilave 450 milionë euro për shlyerjen e euroobligacionit, që maturon në muajin korrik të vitit 2023. Tetëdhjetë milionë euro si përkrahje buxhetore priten gjatë këtij muaji nga BE-ja, me qëllim të zbutjes së ndikimit të krizës energjetike, ndërsa bisedohet lidhur me ndihmën e mundshme makrofinanciare nga BE-ja dhe përkrahjen nga Banka Botërore përmes programeve të politikave të zhvillimit.
“Aktivitetet tona janë të fokosuara në mbrojtjen e financave publike, sigurimin e investimeve të mirëfillta publike, përmirësimin e politikave energjetike, ballfaqimin me inflacionin e lartë dhe përkrahjen e stabilitetit financiar.
Krahas përkrahjes nga FMN-ja përmes instrumentit PLL, aktivitetet që planifikohen do të paraqesin bazë për rritje afatgjate të qëndrueshme pas krizës”, deklaroi ministri i Financave.
Ai theksoi se reformat strukturore për stimulimin e rritjes afatgjate vijojnë të kryesojnë në axhendën tonë dhe se do të bëhen përpjekje lidhur me pëforcimin e arsimit dhe politikave aktive të tregut të punës, rritjen e pagës minimale dhe produktivitetit, si dhe reformat ekonomike që do të vijojnë dhe që lidhen me negociatat e filluara për anëtarësim në BE.
Ministri iu referua edhe përkrahjes që vendi jep për tërheqjen e investimeve të huaja, si dhe përkrahjen e kompanive vendase për ta përforcuar konkurrencën, inovacionin dhe zhvillimin teknologjik me qëllim që ato të integrohen në zinxhirët e furnizimit të kompanive të huaja që janë aktive në vend.
Ministri potencon se pavarësisht sfidave globale që ndikuan ndjeshëm në ekonominë vendore, investimet e huaja direkte mbeten në nivel solid. Kështu, për nëntë muajt e parë të vitit 2022 arritën mbi 520 milionë euro. Kjo, sipas ministrit, është konfirmim se vendi ynë mbetet një vend atraktiv për investime edhe në kohë krize.
Temë e pashmangshme e konferencës ishte edhe inflacioni, si problem global, me të cilin përballen të gjitha vendet, përfshirë edhe vendin tonë. Ministri prezantoi masat që ka ndërmarrë vendi ynë për përballimin e kësaj sfide dhe bëri të ditur se në muajt e fundit të 2022, inflacioni po stabilizohet gradualisht dhe ka tendencë në rënie.
Në forumin “Euromani” marrin pjesë ministrat e financave, guvernatorët e bankave qendrore, përfaqësuesit e institucioneve financiare dhe investitorët, të cilët diskutuan çështjet aktuale që lidhen me tregjet financiare dhe ekonomitë në Evropën Qendrore dhe Lindore. Forumi është mundësi e mirë për takime ndërmjet përfaqësuesve të politikave ekonomike, investitorëve dhe ekonomistëve të interesuar për këtë rajon.