23 shkurt 2023, Shkup – Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut siguroi 36.2 milionë euro për realizimin e investimit të ri në sektorin energjetik, me ç’rast pritet funksionimi i mëtejshëm i gjashtë hidrocentraleve, do të rritet fuqia e tyre e instaluar dhe prodhimi i energjisë elektrike nga burimet vendase. Mjetet janë siguruar me hua në vlerë prej 25 milionë eurove nga Banka Zhvillimore KfV, 11.2 milionë euro nga granti i BE-së nga WBIF-ja dhe 0.2 milionë euro nga Qeveria e Gjermanisë.
Investimi do të realizohet gjatë dy viteve të ardhshme. Ai do të përfshijë rivitalizimin e gjashtë hidrocentraleve të mëdha (HEC Vrutok, HEC Vërben, HEC Raven, HEC Tikvesh, HEC Shpilje dhe HEC Gllaboçica që sigurojnë midis 20% dhe 30% të prodhimit të përgjithshëm të energjisë elektrike në vend. Me këtë investim, fuqia e tyre e instaluar do të rritet për 13.5 MW shtesë, ndërsa prodhimi i energjisë elektrike do të rritet për rreth 47.5 GWh në nivel vjetor.
Përveç kësaj, investimi siguron ulje të kostove të mirëmbajtjes dhe rritje të besueshmërisë dhe stabilitetit të sistemit, si dhe mbrojtje të mjedisit jetësor. Bëhet fjalë për fazën e tretë të rivitalizimit të këtyre hidrocentraleve. Gjithashtu, dy fazat paraprake janë financuar me hua, ku faza e parë është financuar me hua nga Banka Botërore, ndërsa faza e dytë me hua nga Banka Kreditore për Rindërtim – KfV dhe kanë përfunduar me sukses.
Për realizimin e këtij investimi, sot në Shkup u nënshkruan: Marrëveshja e huasë ndërmjet Bankës Kreditore për Rindërtim – KfV dhe SHA EMV – Shkup, Marrëveshja e garancisë ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Bankës Kreditore për Rindërtim – KfV, Marrëveshja e veçantë ndërmjet Bankës Kreditore për Rindërtim – KfV dhe SHA EMV – Shkup dhe Marrëveshja e grantit WBIF ndërmjet Bankës Kreditore për Rindërtim – KfV dhe SHA EMV – Shkup.
Marrëveshja e garancisë u nënshkrua nga ministri i Financave, Fatmir Besimi dhe drejtori i Sektorit të Energjisë dhe Mobilitetit në EJL dhe Turqi në KfV, Pablo Obrador Alvarez, ndërsa marrëveshjet e tjera u nënshkruan nga drejtori i Sektorit të Energjisë dhe Mobilitetit në EJL dhe Turqi në KfV Pablo Obrador Alvarez dhe drejtori i EMV-së, Vasko Kovacevski. Gjatë nënshkrimit të marrëveshjeve morën pjesë: euroambasadori, David Geer dhe ushtruesi i detyrës së ambasadorit të RF të Gjermanisë në vend, Otto Graf.
“Këto marrëveshje mundësojnë realizimin e investimit në vlerë prej 36.2 milionë eurove, që RMV-ja do ta realizojë me përkrahje të partnerëve tanë, me të cilët bëjmë hapa të rëndësishme drejt sigurimit të pavarësisë energjetike, duke investuar në burimet e energjisë së ripërtëritshme. Investimet në sektorin e energjetikës, si dhe në infrastrukturë janë një prej prioriteteve tona në program. Ato i referohen investimit në zhvillimin tonë, konkurrencën më të madhe të ekonomisë, standardin më të lartë të jetesës, përmirësimin e cilësisë së jetesës, si dhe investimit në të ardhmen. Prandaj, edhe në buxhetin e këtij viti parashihen mjete financiare në vlerë prej 800 milionë eurove për projekte kapitale, ku dominojnë projektet infrastrukturore dhe ato energjetike”, theksoi ministri i Financave, Fatmir Besimi gjatë nënshkrimit të marrëveshjeve.
Ministri Besimi shtoi se mjetet financiare sigurohen me kushte të favorshme, ndërsa realizimi i investimit në fjalë nënkupton rritje të prodhimit vendas, stabilitet në furnizimin me energji elektrike dhe pavarësi energjetike, që veçanërisht u dëshmua si i rëndësishëm në kushte të krizës energjetike, me qëllim të sigurimit të furnizimit me energji elektrike nga burime vendase për qytetarët dhe kompanitë.
Sipas Obrador Alvarez, marrëveshjet e nënshkruara sot janë pjesë e impenjimeve të Gjermanisë në kuadër të Procesit të Berlinit, si dhe pakos energjetike të BE-së për përkrahjen e tranzicionit të gjelbër të sektorit energjetik në vendet e Ballkanit Perëndimor (WB6).
Euroambasadori David Geer, theksoi se kyçe për RMV-në janë investimet në energjinë e gjelbër, ku do të kontribuohet për përmirësimin afatgjatë të sigurisë energjetike, si dhe impenjimet e saj në lidhje me ndryshimet klimatike.
Rehabilitimi i hidrocentraleve ekzistuese është pjesë e kësaj strategjie, sepse ato duhet të ndihmojnë në nxitjen e prodhimit të energjisë së gjelbër. Për këtë qëllim, BE-ja siguron grant investues me vlerë prej 11.2 milionë eurove (përmes Kornizës Investuese në Ballkanin Perëndimor), si plotësim i huasë së siguruar nga KfV-ja (Banka Gjermane e Zhvillimit) dhe si financim me grant nga Gjermania.
Do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me pushtetet nacionale, sektorin privat dhe partnerët tanë ndërkombëtarë për ta ndihmuar Maqedoninë e Veriut që të përparojë në zbatimin e axhendës së gjelbër, e cila në fakt është prioritet për të gjithë ne”, tha euroambasadori Geer.
“Gjermania dhe BE-ja përkrahin Maqedoninë e Veriut, me qëllim të rritjes së sigurisë energjetike, drejt së cilit synojmë të gjithë. Kredia e re e KfV-së (Banka Gjermane Zhvillimore) do të mundësojë rehabilitimin e hidrocentraleve dhe do të kontribuojë në përforcimin e kapaciteteve të EMV-së për prodhimin e energjisë së ripërtërishme. Ky është shembull i shkëlqyer se si dy qeveritë tona po bashkëpunojnë me qëllim të sigurimit të disponueshmërisë energjetike me çmime të arsyeshme”, tha u.d. ambasadori Graf.
Kovaçevski, drejtori i përgjithshëm i EMV-së, vlerësoi se faza e tretë e rivitalizimit të gjashtë hidrocentraleve të mëdha ka rëndësi shumë të madhe, sepse me zëvendësimin e pajisjeve të vjetëruara dhe të amortizuara do të reduktohet koha e ndërprerjes së tyre për shkak të mirëmbajtjes së planifikuar dhe të paplanifikuar, që nënkupton disponueshmëri të impianteve për 100% në nivel vjetor, pas përfundimit të projektit.
Ministri shtoi se projekti është i harmonizuar me detyrimet e Axhendës së gjelbër për Ballkanin Perendimor, me përpjekjet për tranzicion drejt energjisë së pastër dhe do të kontribuojë për implementimin e Strategjisë së zhvillimit të energjetikës në Republikën e Maqedonisë së Veriut deri në vitin 2040, e cila ka për qëllim zvogëlimin e emisioneve për 61% të gazrave serrë në krahasim me vitin 2005, si dhe pjesëmarrjen e burimeve të ripërtëritshme të energjisë së konsumit bruto në energji finale për 45%.