14 Prill 2023, Shkup – Ekspertë nga Thesari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të ofrojnë përkrahje për avancimin e kapaciteteve të Thesarit të Ministrisë së Financave. Sot në Washington, ministri i Financave, Fatmir Besimi nënshkroi marrëveshje me zëvendësndihmës sekretarin e Thesarit të SHBA-së, Jason Orlando, me ç’rast mundësohet asistencë teknike për përkrahjen e forcimit të kapaciteteve në Thesarin tonë.
Ekspertët që do të punojnë me kolegët e thesarit, do të ofrojnë përkrahje në fusha të tilla si formulimi dhe realizimi i buxhetit, treguesit e performancës, projeksionet e fluksit të parave të gatshme, etj. Përkrahja e ekspertëve do të fillojë nga muaji shtator i këtij viti.
Përpjekjet e Ministrisë së Financave janë që përmes forcimit të vazhdueshëm të kapaciteteve të saj të kontribuojë drejt avancimit të menaxhimit të financave publike. Si rrjedhojë, do të nënshkruhen marrëveshje për përkrahje të ekspertëve edhe në dy fusha të tjera.
Vitin e kaluar, me miratimin dhe fillimin e zbatimit të Ligjit të Ri të Buxheteve, filloi reforma më e madhe në financat publike që nga pavarësia e shtetit, e cila parasheh integrimin e financave, treguesit e performancës dhe menaxhimin e financave bazuar në rezultate.