26 maj 2023, Tivar – “Angazhimi i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut është sigurimi i qëndrueshmërisë fiskale afatgjate. Vetëm financat publike stabile mund të sigurojnë rritje dhe zhvillim afatgjatë, të orientuar në përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve.
Si rrjedhojë, gradualisht e zvogëlojmë deficitin buxhetor për reduktimin e nevojave për huamarrje të reja, njëkohësisht duke pasur kujdes që të mos rrezikojmë komponentin e zhvillimit, sepse ngadalësimi i rritjes krijon efekt negativ në qëndrueshmërinë fiskale”, theksoi ministri i Financave, Fatmir Besimi në panelin e diskutimit të mbajtur në kuadër të takimit të Konstituencës së FMN-së dhe Bankës Botërore në Tivar të Malit të Zi.
Ministri Besimi mori pjesë në panelin e diskutimit me temë “Përpjekjet për stabilitet ekonomik/Konsolidimi fiskal dhe shtrëngimi i politikës monetare – Cili është miksi optimal i politikave?”, ku debatuan guvernatorët e bankave qendrore të Moldavisë, Armenisë dhe Rumanisë, me ç’rast fjalime kishin edhe Klaas Knot, kryetar i Bankës së Holandës dhe Alfred Kamer, drejtor i Departamentit për Evropën në FMN.
Besimi theksoi se në kushte të ndërthurjes së disa krizave globale, nevojitet koordinimi i duhur ndërmjet politikës fiskale dhe monetare. Në këtë drejtim ministri theksoi se përderisa në kohën e krizës së kovidit kishte nevojë për politikë fiskale ekspanzive të mbështetur prej politikës monetare të ngadalësuar që të zhvillohet aktiviteti ekonomik, tani gjatë presioneve inflacioniste, politika fiskale duhet të ofrojë përkrahje për impenjimet që përmes politikës monetare të ulet intensiteti i kërkesave dhe të ndikohet mbi presionet e çmimeve përmes konsolidimit fiskal, veçanërisht përmes menaxhimit vigjilent të anës së shpenzimeve. Ministri Besimi theksoi se në këtë drejtim Qeveria jonë ka miratuar Strategjinë e qëndrueshmërisë fiskale, po ashtu zbaton një sërë masash me të cilat gradualisht zvogëlohet hendeku ndërmjet anës së të hyrave dhe shpenzimeve të buxhetit, që është më se e dukshme për shkak të uljes së deficitit buxhetor nga viti në vit.
Ministri Besimi, ndër të tjera, potencoi se pushtetet fiskale duhet t’i marrin parasysh kategoritë e ndjeshme të qytetarëve, si dhe sektorin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të cilët duhet të përkrahen. Politika fiskale duhet ta zbatojë rolin e saj dhe t’i mbrojë këto subjekte dhe ekonominë. Gjithashtu, ministri Besimi theksoi se hartuesit e politikave duhet t’u japin prioritet reformave dhe invetimeve publike që stimulojnë rritjen, ndikojnë mbi qëndrueshmërinë fiskale dhe përshpejtojnë tranzicionin e gjelbër.
Ministri Besimi në Tivar, në margjinat e Takimit të Konstituencës, ka mbajtur takime bilaterale me zëvendëskryetaren e Bankës Botërore, Antonella Bassani, me zëvendëskryetarin rajonal të IFC-së, Alfonso Garsia Mora, si dhe me drejtorin e Departamentit të FMN-së për Evropën, Alfred Kamer.