19 shtator 2023, Shkup – Reforma tatimore si pjesë e procesit më të gjerë të reformave të financave publike mori mbështetje në Kuvend. Sot, u miratuan ndryshimet në Ligjin e Tatimit mbi Fitimin dhe Ligjin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, të cilat synojnë krijimin e sistemit tatimor më optimal që do të sigurojë nivel më të lartë të drejtësisë, do të mbështesë rritjen ekonomike dhe do të mundësojë harmonizim të mëtejshëm me direktivat e BE-së. Poashtu, mbështetje ka marrë edhe Ligji i Tatimit të Solidaritetit, i cili synon ballafaqimin me pasojat e krizës energjetike dhe atë të çmimeve dhe mjetet nga ky ligj do të shfrytëzohen për masat antikrizë.
“Reforma tatimore është pjesë e reformës gjithëpërfshirëse në financat publike ku jemi qasur para dy e më shumë viteve dhe gjatë vitit të kaluar kemi pasur proces intensiv dhe inkluziv me të gjitha palët e involvuara për të përcaktuar propozimet që do të kontribuojnë në drejtësi dhe barazi më të madhe në tatimimin. Kjo reformë është rezultat i Strategjisë së reformës tatimore 2021-2025 e cila u miratua nga Qeveria në fund të vitit 2020, si pjesë e Programit të Qeverisë. Qëllimi ishte që të sigurohet sistem tatimor i drejtë, efikas, transparent dhe bashkëkohor në bazë të teknologjive dhe inovacioneve bashkëkohore dhe dixhitale në fushën e tatimimit, që do të jetë në funksion të përshpejtimit të rritjes ekonomike, të qëndrueshme, dhe gjithpërfshirëse” theksoi ministri i Financave, Fatmir Besimi, duke shtuar se BE-ja dhe institucionet ndërkombëtare financiare mbështesin këtë reformë.
Me reformën tatimore në fjalë, sigurohet drejtësi më e madhe sa i përket tatimimit, duke zgjeruar bazën tatimore përmes rishikimit të lirimeve tatimore dhe normave preferenciale, si dhe luftën kundër ekonomisë gri. Më konkretisht, me Propozimligjin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar bëhet harmonizimi me Direktivën e BE-së, sa i përket vendit të qarkullimit të shërbimeve, vendosjes së konceptit të përfaqësuesit tatimor, si dhe rregullimit të trajtimit tatimor të qarkullimit përmes vauçerëve me vlerë.
Njëkohësisht, propozohet vazhdimi i zbatimit të normës preferenciale prej 5% për qarkullimin e parë të ndërtesave banesore dhe banesave të shfrytëzuara për banim në afat prej 5 viteve nga ndërtimi, rishikimi i zbatimit të normës preferenciale të TVSH-së, përkatësisht të ulet norma nga 18% në 5% për qarkullimin e produkteve menstruale dhe do të fillojë zbatimi i normës preferenciale prej 10% për një pjesë të produkteve ushqimore që nuk paraqesin pjesë bazë të ushqimit. Janë duke u zhvilluar edhe disa risi të caktuara që do të ndikojnë në thjeshtësimin e procedurës së arkëtimit të TVSH-së.
Ligji i dytë, i cili është pjesë e reformës tatimore, është Ligji i Tatimit mbi Fitimin, i cili siguron harmonizimin me rekomandimet e KE-së dhe institucioneve financiare ndërkombëtare, për sigurimin e stabilitetit afatgjatë të financave publike nëpërmjet zgjerimit të bazës tatimore, si dhe do të ndikojë në uljen e ngarkesës administrative të kompanive duke thjeshtësuar disa procedura të caktuara të Sistemit të tatimit mbi fitimin.
Në Kuvend, krahas këtyre dy zgjidhjeve ligjore, u miratua edhe Propozimligji i Tatimit të Solidaritetit, i cili nuk është pjesë e reformës tatimore, por është zgjidhje e njëhershme që vendoset në kushte të jashtëzakonshme, në kushte krize. Karakteristika kryesore e kësaj takse është sigurimi i mjeteve të ballafaqimit me krizën. Përkatësisht, mjetet që do të shkrihen në buxhet mbi këtë bazë do të planifikohen në programin e posaçëm për ballafaqimin me krizën dhe do të destinohen për masat antikrizë për mbështetjen e kompanive dhe qytetarëve. Ky ligj përfshinë kompanitë që vitin e kaluar kanë realizuar qarkullim prej mbi 615 milionë denarëve, ndërsa do të përfshijë pjesën që paraqet rritje të fitimit për 20% krahasuar me mesataren e periudhës 3 vjeçare paraprake. Karakteristika kryesore e këtij ligji, që paraqet edhe rekomandimin e KE-së, është solidariteti në veprim si dhe ndikimi pozitiv në ruajtjen e nivelit të borxhit publik.