Кumtesa|

24 Dhjetor 2023, Shkup – Një pjesë e skenarit integral të Strategjisë nacionale të zhvillimit për periudhën 2024-2044 janë: normа mesatare e rritjes ekonomike prej 4.7% në 20 vitet e ardhshme, përshpejtimi i rritjes së standardit jetësor me PBB 70% më të lartë për banor, si dhe ulja e dukshme e shkallës së varfërisë. Ky skenar është i arritshëm vetëm nëse ka konsensus shoqëror për prioritetet kryesore të zhvillimit, krijimin e ekonomisë më konkurruese, teknologjive të avancuara dhe zhvillimit të qëndrueshëm, standardit dhe cilësisë më të lartë jetësor, mjedisit të pastër, vendit të sigurt dhe me prosperitet, thekson në kolumnën e tij të fundit, ministri i Financave, Fatmir Besimi.

“Që të njihemi si “mrekullia ekonomike e Ballkanit” na duhet konsensus shoqëror për prioritetet strategjike, dialog i hapur shoqëror për të gjitha çështjet kruciale. Duhet lidership që reflekton ndërgjegjësimin kolektiv për një të ardhme më të mirë dhe marrëveshje ndër breza, që ky brez të sigurojë një të ardhme më të mirë për brezin e ardhshëm këtu në vend dhe që të vazhdojë dhe të mbetet pikërisht këtu, për t’ia përcjellë këtë amanet brezit të ardhshëm më tej, e kështu me radhë”, thekson Besimi.

Ministri i Financave nënvizon se, Strategjia nacionale e zhvillimit për periudhën 2024-2044 bazohet në këto fusha prioritare: 1. Ekonomi e qëndrueshme, inovative dhe konkurruese, 2. Zhvillim i qëndrueshëm lokal dhe rajonal, i cili siguron kohezionin, 3. Rivitalizim demografik, si dhe zhvillim social dhe kulturor, 4. Sundim i ligjit dhe mirëqeverisje, 5. Shoqëri e sigurt dhe rezistente dhe 6. Transformim i gjelbër dhe digjital. Ministri arsyeton se sipas skenarëve të rritjes së ekonomisë në njëzet vitet e ardhshme, rritja mesatare vjetore e PBB-së reale është projektuar për 2.6 sipas skenarit bazë, por duke zbatuar reformat sipas fushave prioritare strategjike, kjo rritje mund të jetë pothuajse dyfish më e lartë.

“Me skenarin integral si opsion i preferuar në vitin 2044 krahasuar me vitin 2024, do të arrijmë rritje më të shpejtë të standardit jetësor (PBB-ja për banor do të jetë 70% më e lartë), niveli i varfërisë do të ulet dukshëm (nga 6.1% në 0.4% persona me të ardhura ditore prej 2.15 USD), të hyrat në buxhet do të arrijnë në nivel prej 43.5% të PBB-së, që është dukshëm më i lartë se projeksioni aktual për vitin 2024 në nivel prej 31.7% të PBB-së. Për arritjen e konvergjencës më të shpejtë me vendet e BE-së në raport me vendet e reja anëtare (Kroacia dhe vende të tjera), rritja jonë ekonomike do të duhet të jetë mbi 5%. Diçka më shumë që do të na sigurojë epitetin e “mrekullisë ekonomike të Ballkanit”, shkruan Besimi.

Strategjitë dhe programet sektoriale, së bashku me planet aksionale janë gjithashtu të nevojshme për zbatimin e suksesshëm të Strategjisë nacionale zhvillimore. Rol të rëndësishëm në këtë drejtim do të ketë: Strategjia e zhvillimit të kapitalit njerëzor, Strategjia e specializimit të zgjuar, Strategjia e avancimit të eksportit, Strategjia e zhvillimit të qëndrueshëm, Strategjia e zhvillimit të energjetikës, Strategjia e dixhitalizimit dhe sigurisë kibernetike, Strategjia e zhvillimit lokal dhe rajonal, Strategjia e menaxhimit të financave publike, Strategjia e formalizimit të ekonomisë joformale, si dhe strategjitë në fushën e zhvillimit të bujqësisë dhe sigurisë ushqimore, strategjitë në fushën e mbrojtjes sociale, shëndetësisë, arsimit, kulturës, turizmit, përkrahjes së rinisë dhe sportit, sigurisë dhe mbrojtjes. Në strategjitë e zhvillimit punojmë intensivisht në bashkëpunim me institucionet e tjera ndërkombëtare dhe Bashkimin Evropian, ndër të cilat do të veçoja: Planin e rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor 2024-2027 në vlerë prej 6 miliardë eurove për të gjithë rajonin, me ç’rast rreth 900 milionë euro do të jenë për ekonominë tonë, si dhe Kornizën e partneritetit me Bankën Botërore 2024-2028 e projektuar në vlerë prej rreth 900 milionë eurove për zhvillimin e ekonomisë sonë”, thekson ministri i Financave.

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *