Кumtesa|

27 qershor 2024, Shkup – Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, njoftoi pasdite se Qeveria nesër do ta shqyrtojë propozimin për rritjen e pensioneve.

“Pasdite patëm një takim në Qeveri me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe ministrin e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, ku konstatuam se do të realizojmë një nga premtimet tona parazgjedhore për rritjen e pensioneve me 5000 denarë. Me korrigjimin e shtatorit, rritja e parë do të jetë 2.500 denarë, ndërsa e ardhshmja, po ashtu prej 2.500 denarë do të bëhet në mars. Kjo është rritje lineare për çdo pension. Për shembull, pensionisti që merr pension 15.000 denarë, me pensionin e shtatorit do të marrë 17.500 denarë dhe atë pension do ta marrë deri në muajin mars, kur me rritjen e dytë pensioni do të bëhet 20.000 denarë”, tha Dimitrieska-Koçoska në paraqitjen e saj në “Ditarin” e TV Sitel.

Ministrja sqaroi se bëhet fjalë për përmbushjen e premtimit që kanë dhënë gjatë fushatës parazgjedhore lidhur me rritjen e pensioneve në vitin e parë pas marrjes së pushtetit dhe se kjo do të ndodhë edhe më herët, përkatësisht deri në muajin mars të vitit 2025.

Ministrja Dimitrieska-Koçoska siguroi se mjetet për pagesën e pensioneve do të sigurohen me rishikimin e Buxhetit për vitin 2024, i cili tashmë është duke u përgatitur në Ministrinë e Financave.

“Në Buxhetin e vitit 2024 nuk janë buxhetuar mjete financiare të mjaftueshme për pagesën e pensioneve. Në Buxhetin e miratuar mungojnë 40 milionë euro për pagesën e pensioneve dhe që në fillimi diheshe se duhet të siguroheshin. Për këtë rritje të paralajmëruar do të nevojiten 40 milionë euro shtesë ose gjithsej rreth 80 milionë euro. Mund t’i sigurojmë ato, sepse do t’i shkurtojmë shpenzimet joproduktive”, theksoi ministrja e Financave, Dimitrieska-Koçoska.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *