Кumtesa|

1 nëntor 2024, Shkup – Propozimi i buxhetit për vitin 2025, i cili sot duhet të dorëzohet në Kuvend, përfshin ndryshime të reja në planifikimin dhe realizimin e shpenzimeve kapitale. Ato janë planifikuar në 50.6 miliardë denarë, që do të thotë mjete për projekte, e jo për transferta që mbulojnë shpenzimet tjera. Kjo u theksua nga ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska sot në takim me gazetarët.

 

-Me Propozimin e  buxhetit për vitin 2025 janë projektuar 50.6 miliardë denarë për investime kapitale. Krahas projekteve që lidhen me korridoret 8 dhe 10d dhe projekteve të komunave, prioritet janë edhe projektet për financimin e efikasitetit energjetik, për lehtësimin e tregtisë dhe transportin në Ballkanin Perëndimor, për administrimin e sigurimeve sociale, për modernizimin e bujqësisë, për projektin rajonal të mbetjeve, për përmirësimin e infrastrukturës ujore, për rikonstruksionin e institucioneve ndëshkuese dhe korrektuese etj. “Gjithashtu edhe në arsim, përveç rikonstruksionit të konvikteve studentore është planifikuar edhe ndërtimi i shkollave dhe sallave sportive, për të cilat është duke u negociuar”, theksoi ministrja Dimitrieska-Koçoska.

 

Sipas të dhënave të prezantuara lidhur me realizimin e investimeve kapitale për vitet e kaluara, ajo theksoi se ato në vlerë reale nuk ishin më shumë se 15 miliardë denarë, sepse transfertat ishin prezantuar si shpenzime kapitale dhe ka pasur realizim të dobët të projekteve që ishin planifikuar. Siç potencoi ministrja kjo ka rezultuar me norma më të ulëta të rritjes në të kaluarën.

 

“Sipas kësaj politike e ndryshojmë edhe normën tonë të rritjes, respektivisht e bazojmë këtë në investime reale. Në Propozimin e buxhetit për vitin 2025 kjo ndryshohet, me ç’rast shpenzimet kapitale janë investime reale. Transferta për EMV-në nuk ka. Janë paraparë transferta kundrejt ndërmarrjeve të rregullta publike, po në vlera shumë më të ulëta ose janë transferuar në zëra të tjerë”, tha ministrja.

Ajo theksoi se, me propozimin e buxhetit është planifikuar deficit në nivel prej 4% të PBB-së, përkatësisht janë planifikuar më shumë mjete për pagesën e pagave, pensioneve, mbrojtjes shëndetësore, kompensimeve sociale etj.

 

Ajo informoi se janë duke vazhduar diskutimet me bankat afariste për plasimin e 250 milionë eurove të planifikuara nga huaja e Hungarisë si mjete të favorshme për kompanitë dhe se pjesa për vlerën e interesit është përmbyllur, përkatësisht ajo do të jetë 3.25%. Vazhdojnë edhe diskutimet për përcaktimin e kushteve lidhur me afatin e shlyerjes.

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *