16 nëntor 2024, Shkup – Mjetet nga huaja e Hungarisë të destinuara për kompanitë janë shumë të rëndësishme dhe duhet të plasohen sa më shpejt. Interesim kanë edhe nga kompanitë. Ditën e dielë në një takim me bankat duhet të përcaktohen kriteret dhe nëse kjo nuk bëhet, mund të shqyrtohet mundësia e përcaktimit të tyre direkt përmes Bankës Zhvillimore.
Kjo u theksua nga zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankullovski, në suaza të debatit të përgjithshëm për Propozimin e buxhetit për vitin 2025, në Komisionin e Financimit dhe Buxhetit.
“Mjetetet janë shumë të rëndësishme, sepse do të destinohen për kompanitë prodhuese, që do të investojnë në prodhim, me ç’rast do të kemi vlerë të shtuar. Ato produkte do të duhet të shiten, të plasohen në treg, të shtohet numri i punësimeve dhe me këtë besojmë se do të rritet edhe konkurrenca. Përveç kësaj, do të kemi rritje ekonomike efikase, si dhe rritje të pagave falë mekanizmave të tregut”, theksoi Jankullovski.
Ai shtoi se vlera e kostos që do të subvencionohet nga shteti do të bëhet e ditur në takimin e Kryeministrit, institucioneve kompetente dhe Asociacionit Bankar të Maqedonisë. Njëkohësisht, zëvendësministri theksoi se çështja e subvencionimit të kostove nga shteti ka qenë praktikë edhe në të kaluarën.
Ai potencon se kompanitë çdo ditë pyesin për këto mjete, veçanërisht për çështjen e periudhës grejs prej 3 vitesh, ku do të duhet të paguajnë vetëm interesin, jo edhe principalin.
“Kjo do të thotë shumë për ta. Ata do të investojnë në prodhim, do të presin rezultate në dy-tre vitet e para dhe tashmë nga viti i katërt do të fillojnë ta kthejnë të gjithë anuitetin, principalin, gjithashtu edhe interesin. Se sa do të ndihmojë shteti dhe cilat do të jenë kërkesat e bankierëve, do të shohim ditën e dielën dhe do ta shohim edhe përvojën e shfrytëzuar nga Qeveria e paraprake. Pikësynimi është sa më i madh dhe jam i sigurt se këto mjete financiare do të shfrytëzohen tërësisht. Nëse nuk ka marrëveshje, sigurisht që do ketë mundësi që Banka Zhvillimore t’i zbatojë ato me kapacitete të mëtejshme njerëzore. Cilado zgjidhje që të përzgjidhet, uroj që ajo të zgjidhet sa më shpejt.
Sa më shpejt që të hyjnë mjetet në ekonomi, aq më mirë do të jetë edhe për shtetin, pa marrë parasysh se për cilin rajon të planifikimit bëhet fjalë”, theksoi Nikolloski.
Ai theksoi, se po ashtu, me Propozimin e buxhetit për vitin 2025, ka më shumë mjete për përkrahjen e ekonomisë. Me ç’rast për tërheqjen e investimeve të huaja direkte dhe zhvillimin e zonave të lira ekonomike dhe kompanive të huaja, vlera prej 1.4 miliardë denarë rritet në 3.7 miliardë denarë, për përkrahjen financiare të kompanive vendore buxheti rritet prej 1.1 miliardë denarë në 2.4 miliardë denarë. Përkrahja nga shteti përmes Agjencisë së Investimeve të Huaja është rritur nga 4.4 në 6.2 miliardë denarë. Për masat aktive për punësime janë paraparë 2.3 miliardë denarë, ndërsa këtë vit për këtë qëllim janë paraparë 1.9 miliardë denarë.
Këto janë mjete që flasin për angazhimin e Qeverisë ndaj kompanive dhe për përkrahjen dhe pritshmëritë që ka Qeveria nga kompanitë për zhvillimin e ardhshëm ekonomik të Republikës së Maqedonisë”, theksoi zëvendësministri i Financave.
Lidhur me përkrahjen për zhvillimin e barabartë rajonal, ai theksoi se buxheti parasheh 1 miliard euro për përkrahjen e komunave me qëllim të zhvillimit të pandërprerë të tyre.
“Në këto mjete ka shumë projekte. Duke qenë se ka komuna që nuk kanë ujësjellës dhe kanalizime, në thirrjen e parë për ndarjen e mjeteve të parapara me huanë e Hungarisë për komunat, si kriter është marrë numri i banorëve. Për shembull, në Komunën e Mogillës, mjetet do të shfrytëzohen për ujësjellës në fshatrat në të cilat nuk ka pasur. Derisa nuk i zgjidhim problemet kryesore infrastrukturore, nuk mund të vendosim kritere tjera në ndarjen e mjeteve”, theksoi Jankullovski.
Ai shtoi se përveç kësaj, përmes Byrosë së Zhvillimit të Barabartë Rajonal, tetë rajonet e planifikimit marrin përkrahje nga buxheti qendror dhe ato mjete implementohen në mënyrën e dakorduar nga kryetarët e komunave në ato rajone të planifikimit.
“Jankullovski potencon se bëhet fjalë për input të madh, i cili u jepet komunave për përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve”.
Debati për Propozimin e buxhetit në Komisionin e Financimit dhe Buxhetit ka filluar më 14 nëntor dhe mund të zgjasë deri në 10 ditë pune.