Кumtesa|

10 dhjetor 2024, Shkup – Sot pasdite, Kuvendi e miratoi Buxhetin për vitin 2025, i cili është zhvillimor, me komponentin e përfshirë social. Të ardhurat e përgjithshme janë planifikuar në nivel prej 358.8 miliardë denarëve, ndërsa shpenzimet janë planifikuar në nivel prej 400.2 miliardë denarëve, ndërsa deficiti buxhetor është parashikuar në vlerë absolute prej 41.3 miliardë denarëve ose 4% nga PBB-ja e planifikuar.

 

Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, sa i përket Buxhetit për vitin 2025, respektivisht duke e arsyetuar propozimin në Kuvend,  njofton për ndryshimet e politikave që kanë për qëllim realizimin e planit për konsolidim fiskal, sigurimin e qëndrueshmërisë fiskale dhe përkrahjen e rritjes ekonomike.

 

“Viti 2025 do të jetë viti i investimeve, që do t’i japin vlerë të shtuar, do ta zhbllokojnë procesin dhe do të na çojnë një hap më lart në arritjen e normave më të larta të rritjes ekonomike. “Investime që krijojnë kushte reale për krijimin e një të ardhmeje më të mirë dhe që do të kenë ndikim sinjifikativ pozitiv në aktivitetin ekonomik në vitin e ardhshëm”, potencoi ministrja.

 

Karakteristikë e këtij buxheti është trendi më i ulët i rritjes së shpenzimeve krahasuar me trendin e rritjes së të ardhurave. Rritja e të ardhurave është 13%, ndërsa për shpenzimet për 10% krahasuar me vitin 2024, që nga ana tjetër kontribuon në konsolidimin dhe zvogëlimin e deficitit buxhetor për rreth 3.3 miliardë denarë.

 

Për realizimin e komponentit zhvillimor, në buxhet janë planifikuar 47.2 miliardë denarë, ose rreth 4.6% pjesëmarrje në PBB në nivel vjetor, që do të mundësojë krijimin e parakushteve për një cikël të ri të rritjes ekonomike.

 

Me këtë buxhet sigurohen mjete për pagesën e rregullt të pagave, pensionet të cilat njëkohësisht do të rriten për 2.500 denarë nga muaji mars i vitit 2025, për pagesën e të drejtave sociale, si dhe për servisimin e rregullt të detyrimeve.

 

Rritja e ekonomisë me Buxhetin projektohet në 3.7%, ndërsa inflacioni 2.2%.

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *