10 dhjetor 2024, Shkup – Buxheti për vitin 2025 është dokument me të cilin Qeveria informon rreth ndryshimeve në politikat që synojnë realizimin e planit për konsolidim fiskal, sigurimin e qëndrueshmërisë fiskale dhe përkrahjen e rritjes ekonomike. Viti 2025 do të jetë viti i investimeve, që do t’i japin vlerë të shtuar, do ta zhbllokojnë procesin dhe do të na çojnë një hap më lart në arritjen e normave më të larta të rritjes ekonomike. Investime që krijojnë kushte reale për krijimin e një të ardhmeje më të mirë dhe që do të kenë ndikim sinjifikativ pozitiv në aktivitetin ekonomik vitin e ardhshëm. Këtë e theksoi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, duke e arsyetuar Propozimin e plotësuar të Buxhetit për vitin 2025 në seancën plenare të Kuvendit.
“Ky është plani i ri i Qeverisë i bazuar në realizimin real të ciklit të fuqishëm të investimeve në sektorin publik, i plotësuar me investime në sektorin privat dhe komuna. Krahas investimeve, viti do të shënojë edhe fillimin e konsolidimit fiskal, mbështetur nga një sërë masash serioze në realizimin e këtij qëllimi. Do të punojmë në pjesën e të ardhurave për inkasimin më efikas të tyre, që do të thotë se nuk do të ketë ngarkesa të reja tatimore, por luftë më të madhe kundër ekonomisë gri, luftë kundër korrupsionit dhe krimit, sidomos kundër atij financiar. Ka shumë fusha ku duhet ta përqëndrojmë punën tonë, por ka edhe një potencial të madh që do ta aktivizojmë në zbatimin e këtij qëllimi. Kemi plan, kemi qëllime dhe kemi mënyra për realizimin e tyre, prandaj është i nevojshëm vullneti i fuqishëm, të cilin e kanë një pjesë e mirë e Qeverisë së re”, theksoi ministrja dhe shtoi se pas marrjes së pushtetit, rezultatet në ekonomi po shkojnë në drejtim të rritjes dhe se vitin e ardhshëm pritet përshpejtimi i aktiviteteve ekonomike, me ç’rast rritja është projektuar të jetë në 3.7%.
Buxheti për vitin 2025 është zhvillimor, me komponentin e përfshirë social. Të ardhurat e përgjithshme janë planifikuar në nivel prej 358.8 miliardë denarëve, ndërsa shpenzimet janë planifikuar në nivel prej 400.2 miliardë denarëve, ndërsa deficiti buxhetor është parashikuar në vlerë absolute prej 41.3 miliardë denarëve ose 4% nga PBB-ja e planifikuar. Po ashtu, karakteristikë sinjifikante e këtij buxheti është trendi i ulur i rritjes së shpenzimeve në raport me trendin e rritjes së të ardhurave.
Domethënë, rritja e projektuar e të ardhurave është 13%, kurse e shpenzimeve për 10% krahasuar me vitin 2024, që nga ana tjetër kontribuon në konsolidimin dhe zvogëlimin e deficitit buxhetor për rreth 3.3 miliardë denarë.
Ministrja duke theksuar se tipari më i rëndësishëm i Buxhetit për vitin 2025 është komponenti zhvillimor, bëri të ditur se shpenzimet kapitale janë planifikuar në nivel prej 47.2 miliardë denarëve, ose me pjesëmarrje prej rreth 4.6% në PBB në nivel vjetor.
“Në këtë mënyrë, politika fiskale për vitin e ardhshëm do të orientohet në krijimin e parakushteve për ciklin e ri të rritjes ekonomike, sigurimin në nivel të konsiderueshëm të investimeve publike që janë bazë për përmirësimin e perspektivës ekonomike, si dhe për një jetesë më të mirë për qytetarët. Krahas nivelit të lartë të investimeve kapitale nga mjetet buxhetore, mjete të konsiderueshme sigurohen edhe me hua nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe kreditorët bilateralë”, theksoi ministrja dhe shtoi se në vitin 2025 do të vazhdojë përkrahja financiare dhe bashkëpunimi i Qeverisë me komunat.
Në vitin 2025 me buxhetin e propozuar janë planifikuar investime në fushën e infrastrukturës rrugore, që kanë të bëjnë me projektimin dhe ndërtimin e një pjese të korridoreve 8 dhe 10d, ndërtimin e pjesës lindore të Korridorit 8 nëpërmjet pjesës Rankovcë – Kriva Pallankë, ndërtimin e pjesës së autostradës Kërçovë – Bukojçan, ndërtimin e pjesës së autostradës Shkup-Bllacë, realizimin e projektit për lidhjen e rrugëve lokale, i financuar nga Banka Botërore, ndërtimin e pjesës së rrugës Gradsko – Drenovë, si pjesë e rrugës së Korridorit 10d. Projektet për ndërtimin dhe rehabilitimin e hekurudhës së Korridorit 8 dhe ndërtimin e vendkalimit të përbashkët hekurudhor me Republikën e Serbisë. Gjithashtu, janë planifikuar edhe projekte në fushën e infrastrukturës komunale dhe menaxhimit të mbetjeve, si dhe për efikasitetin energjetik në sektorin publik. Gjithashtu, janë planifikuar investime në sektorin e shëndetësisë, në arsim, në mbrojtjen e fëmijëve dhe në fushën e sportit, sektorin e bujqësisë, infrastrukturën energjetike, si dhe janë planifikuar rikonstruksione edhe në institucionet ndëshkuese-korrektuese.
Ministrja theksoi se e gjithë kjo do të financohet me hua vendore dhe të huaja dhe se planifikohet huamarrje e sërishme nga Hungaria, në vlerë prej 500 milionë eurosh, të cilat do të shfrytëzohen për shlyerjen e euroobligacionit, që maturohet në muajin janar të vitit 2025, ndërsa pjesa tjetër do të sigurohet nga investimet e brendshme.
Sipas Rregullores së Kuvendit, debati që filloi sot në seancën plenare mbi propozimin e buxhetit të plotësuar, do të zgjasë më së shumti pesë ditë.