13 janar 2025, Shkup – Të hyrat dhe shpenzimet në Buxhetin e vitit 2024 janë realizuar në nivel prej mbi 96%, që është në përputhje me atë që është planifikuar. Rritja e të hyrave dhe shpenzimeve krahasuar me vitin paraprak është rreth 10%, ndërsa deficiti buxhetor është më i ulët se vlera e planifikuar për 2.5 miliardë denarë dhe është në nivel prej 4.4% të PBB-së.
Realizimi i të hyrave të përgjithshme në Buxhetin e vitit 2024 janë në vlerë prej 306.3 miliardë denarëve ose 96.3% nga ajo që ishte planifikuar. Të hyrat nga tatimet dhe kontributet janë realizuar në tërësi, respektivisht 99.7%, ndërsa vetëm nga tatimet realizimi është 99.2%. Tatimi mbi të ardhurat personale ka realizim prej 101%, tatimi mbi vlerën e shtuar 103.8%, tatimi mbi fitimin 95.6% dhe detyrimet e importit 95.3%.
Realizimi i të hyrave në buxhet është në përputhje me atë që është planifikuar sipas ribalancit. Të dhënat tregojnë inkasimin efikas të të hyrave nga Drejtoria e të Hyrave Publike dhe Drejtoria Doganore. Këto të hyra tatimore dhe kontribute janë realizuar në vlerë prej 283.6 miliardë denarëve dhe paraqesin 92.6% në strukturën e të hyrave të përgjithshme buxhetore. Të hyrat nga tatimet në vitin 2024 janë realizuar në nivel prej 177.9 miliardë denarëve dhe janë për 12.8% më të larta krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa kontributet e sigurimit social janë realizuar në vlerë prej 105.7 miliardë denarëve dhe ato janë më të larta për 14.1% krahasuar me ato që janë realizuar në vitin 2023.
Shpenzimet e përgjithshme në vitin 2024 janë realizuar në vlerë prej 348.5 miliardë denarëve ose 96.1% e planit vjetor dhe janë për 9.4% më të larta se shpenzimet buxhetore të realizuara në vitin 2023. Realizimi i shpenzimeve kapitale në vitin 2024 është në vlerë prej 28.7 miliardë denarëve ose 76.8% e vlerës së planifikuar. Për realizimin e projektit për ndërtimin e autostradave të korridoreve 8 dhe 10-d janë realizuar 4.1 miliardë denarë, përkatësisht për vitin 2024 buxheti i paraparë për këtë projekt është realizuar në tërësi.
Po ashtu, janë realizuar 21.2 milionë denarë për projekte komunale, si dhe 165 milionë denarë për projektin e efikasitetit energjetik në sektorin publik. Shpenzimet për mallra dhe shërbime janë realizuar në vlerë prej 22.9 miliardë denarëve ose 88% të mjeteve të planifikuara. Transfertat kundrejt komunave përmes bllok dotacioneve dhe dotacioneve në bazë të TVSH-së janë realizuar në vlerë prej 30.9 miliardë denarëve dhe janë rreth 3.4 miliardë denarë më shumë krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa subvencionet bujqësore janë realizuar në vlerë prej 9.2 miliardë denarëve dhe janë paguar në tërësi.
Është veçanërisht i rëndësishëm fakti që deficiti buxhetor është realizuar në masë më të ulët dhe se ai është pjesë e planit të konsolidimit fiskal.
Me ribalancin e buxhetit, deficiti buxhetor ishte projektuar në nivel prej 4.9%, ndërsa në vitin 2024 deficiti buxhetor është realizuar në nivelin prej 4.4% të PBB-së ose në vlerë absolute më të ulët për 2.5 miliardë denarë. Gjithashtu, borxhi publik do të jetë më i ulët se ai që është projektuar dhe me gjasë do të jetë në nivel prej 62.2%. Ky vit ka filluar me financa publike likuide dhe stabile.