21 maj 2020, Shkup – Mbështetja e investimeve, qasje më e lehtë ndaj kapitalit, gjetja e tregjeve të reja, orientimi nga eksporti, digjitalizimi, modernizimi, produktet e reja, si dhe përfshirja e kategorive të targetuara, siç janë gratë sipërmarrëse dhe të rinjtë, janë pjesë e masave të pakos së tretë që synojnë mbështetjen e drejtpërdrejtë të ekonomisë. Sot, këto masa u prezantuan nga ministrja e Financave Nina Angellovska dhe ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi.

Ministrja e  Financave theksoi se këto masa kanë për qëllim konkretisht mbrojtjen e likuiditetit dhe vendeve të punës në një afat të shkurtër, por gjithashtu mbështesin zhvillimin dhe rritjen e konkurrencës së kompanive në periudhën pas koronës.

Angellovska theksoi se Banka Zhvillimore e Maqedonisë së Veriut do të ofrojë një linjë të re të kredive pa interes dhe do të zhvillohet një skemë garancie për kreditë komerciale.

 – Me kreditë pa normë interesi për firmat, përmes Bankës Zhvillimore të Maqedonisë së Veriut, mbështeten të gjitha firmat mikro dhe të vogla në vlerë prej 31 milionë euro dhe ajo do të ofrojë grant prej 30% nga BE-ja, për ato kompani që drejtohen ose themelohen nga gratë ose duke punësuar persona të rinj, apo që janë të orientuar drejt eksportit ose me futjen e inovacionit dhe digjitalizimit në punën e tyre. Në vazhdim, përmes zhvillimit të skemës sëë garancisë shtetërore për kredi komerciale përmes Bankës Zhvillimore, do të ofrohet qasje më e lehtë në kapital për firmat, për nevoja të likuiditetit, për investime për rritjen e konkurrencës dhe e njëjta përdoret në të gjithë botën pikërisht për periudhën e rimëkëmbjes –  tha Angellovska.

Në vijim, do të mbështetet edhe plasimi i prodhimeve të kompanive në tregjet e reja dhe përmirësimi i konkurrencës, së pari përmes 25 milionë eurove për sektorin privat, përmes Programit për përforcimin e konkurrencës në industri, ndërsa në bashkëpunim me Odat ekonomike, më tej duke zhvilluar platformën digjitale për tekstil, këpucë dhe industrinë e prodhimit të mobiljeve. Janë planifikuar edhe 1.6 milionë euro në mbështetje të start ap kompanive dhe firmave të vogla dhe të mesme për krijimin e proceseve të reja, inovacionit, plasimin drejt tregjeve të reja, digjitalizimin dhe rritjen e konkurrencës, si dhe 3 milionë euro përmes Fondit për Inovacion dhe Zhvillimit Teknologjik.

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, iu referua masave nga pakoja e tretë e masave, të cilat realizohen përmes Ministrisë së Ekonomisë dhe kanë vlerë mbi 50 milionë euro.

 -Turizmi dhe hotelieria janë sektorët më të prekur nga kjo krizë shëndetësore dhe ekonomike, kështu që mbështetja që ne ofrojmë përmes tre pakove të masave për këtë sektor është më e rëndësishmja në këtë drejtim. Pakoja e tretë e masave parashikon mbështetje prej 16 milionë eurove për vauçerë për turizmin vendor prej 100 eurove dhe një kartelë pagesore vendore prej 50 eurove. Kjo masë përfshin të gjithë qytetarët e punësuar që marrin pagë neto më të ulët se 15.000 denarë në muaj dhe nuk kanë të ardhura të tjera. Kjo masë përfshin rreth 100 mijë qytetarë dhe do të zbatohet gjatë sezonit turistik nga muaji qershor deri në fund të muajit gusht.

Ministri Bekteshi potencoi se këtë krizë mund ta shndërrojmë së bashku në një mundësi për të gjithë ne.

-Për të mbrojtur prodhimin e brendshëm, duhet të ndihmojmë prodhuesit vendor dhe kompanitë e prekura nga kjo krizë. Këtë krizë ta bëjmë një mundësi të re për të gjithë ne. Prandaj, ofrohet kjo mbështetje përmes vauçerëve prej 16 milionë eurove për qytetarët që do të mund t’i shfrytëzojnë objektet vendore hotelierike – theksoi Bekteshi.

Ministri i Ekonomisë, Bekteshi theksoi se në buxhetin e Ministrisë së Ekonomisë janë paraparë mjete për mbështetje financiare për sektorin privat, ekonominë dhe industrinë në vlerë të përgjithshme prej rreth 400 mijë euro përmes krijimit të Programit për përforcim të konkurrencës së kompanive dhe industrisë, në përputhje me ligjin për mbështetjen financiare të investimeve. Është paraparë edhe zbatimi i masës për të mbështetur modernizimin e kompanive dhe pushtimin e tregjeve të reja, para së gjithash për industritë e zgjedhura duke u përqëndruar në industrinë e tekstilit dhe këpucëve, industrinë e biljeve dhe prodhimeve PVC – ku  përmes kësaj platforme kompanitë vendore do të jenë në gjendje të ofrojnë dhe plasojnë prodhimet e tyre në tregjet e huaja dhe përmes një mënyre alternative të shitjes.

Do të bashkëfinancohen edhe evente dhe konferencat me 50% mbështetje financiare nga shteti deri në vlerë maksimale prej 30.000 denarë.

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Comments are closed.