18 nëntor 2019, Shkup – Numri i dërgesave të vogla dhe të mëdha që qytetarët dhe kompanitë i porosisin përmes internetit është duke u rritur e me këtë rriten edhe sfidat si për shtetin ashtu edhe për kompanitë. Ministria e Financave, Drejtoria e Doganave dhe Qeveria me vite janë duke u përballur me kërkesën për të rritur pragun e vlerës deri te cila dërgesat janë të liruara nga pagesa e detyrimeve të importit. Ministrja e Financave, Nina Angellovska njoftoi se janë duke menduar për një rritje të tillë, ndërsa pragu optimal do të përcaktohet në bazë të analizave që aktualisht janë duke u realizuar në Ministri.

– Kur flasim për lehtësimin e e-tregtisë ndërkufitare, duhet të merren parasysh  të dyja palët. Kërkesa e qytetarëve për të rritur pragun e vlerës së mallrave që i nënshtrohen përjashtimit nga detyrimet doganore është e vazhdueshme. Nga ana tjetër, ekziston një presion i madh nga një kategori tjetër e caktuar qytetarësh, të cilët përmes privilegjeve të mundshme më të mëdha, dëshirojnë të kryejnë tregti ilegale. Prandaj jemi duke punuar në përmirësimin e proceseve dhe në rritjen e efikasitetit – tha ministrja Angellovska në promovimin e skanerit për kontrollin e dërgesave postare në zyrën e doganës Posta-Shkup, donacion nga Ambasada e SHBA-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

 

Duke vlerësuar se ekziston hapësirë e konsiderueshme për përmirësim, ministrja Angellovska theksoi Indeksin e Performancës në Logjistikë, i cili mat efikasitetin dhe cilësinë e dërgesës postare dhe është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e tregtisë elektronike. Sipas këtij indeksi, Maqedonia renditet në vendin e 99-të nga 150 ekonomi, respektivisht indeksi ka vlerë 2.61 përqind. Nga 6 treguesit që mat ky indeks, treguesi sipas të cilit jemi në një nivel më të ulët është efikasiteti i procesit të doganimit.

– Shfrytëzimi i skanerit është një hap për të përmirësuar doganimin e dërgesave të vogla. Ai do të mundësojë që pa i hapur dërgesat, të mund të shihet se çfarë ka në to. Kjo zvogëlon mundësinë e abuzimit dhe automatizon procesin. Përveç në lehtësimin e importit është duke u punuar edhe në lehtësimin e eksportit. Me dorëzimin elektronik të deklaratave të eksportit, që nga 1 janari i lehtësojmë kompanitë maqedonase, i bëjmë ato më konkurruese dhe mundësojmë që tregtia elektronike të ofrojë mundësi më të mëdha për rritje të kompanive vendore, nëpërmjet plasimit të tyre  në tregjet e huaja – tha Angellovska.

Nga aspekti i Doganës, tregtia elektronike shfrytëzohet për të shitur produkte fizike përmes internetit, përfshirë edhe produkte të falsifikuara, për të cilat duhet të jemi të përgatitur dhe t’i parandalojmë, tha drejtori i Drejtorisë Doganore, Gjoko Tanasoski.

– Shfrytëzimi i skanerit do të përshpejtojë kontrollin e postave elektronike dhe do të rrisë mundësinë e zbulimit të tregtisë së paligjshme. Nëse flasim për sigurinë, para së gjithash për mbrojtjen e qytetarëve, që është një nga detyrat kryesore të Drejtorisë Doganore, skaneri mundëson detektimin e dërgesave që në përputhje me rregulloret pozitive ligjore përmbajnë materie që janë të ndaluara të hyjnë në vendin tonë. Nga ana tjetër, detyra jonë është të mbrojmë të drejtën e pronësisë intelektuale, si dhe masa të tjera të politikës tregtare – tha Tanasoski.

Ministrja e Financave, Angellovska gjithashtu informoi se po bëhen analiza gjithëpërfshirëse të cilat do të tregojnë cili është pragu optimal për përjashtime nga detyrimet importuese për dërgesat e vogla. Sipas rregullores aktuale, një dërgesë e vogël, vlera e së cilës tejkalon 45 euro, i nënshtrohet pagesës së detyrimeve të importit. Në BE ky prag është 150 euro. Qytetarët që kthehen nga jashtë përmes një kalimi kufitar, me vete mund të mbajnë mallra me vlerë 350 euro dhe për to të mos paguajnë detyrime importi.

– Momenti i dytë kur përmenda që jemi duke punuar për të përmirësuar proceset është t’i përgjigjemi nismave të shumta për rritjen e pragut. Flasim që rritja e pragut të bëhet për rreth 80-90 euro. Cili është pragu optimal do të tregojnë analizat që janë duke u bërë aktualisht në Ministrinë e Financave – tha Angellovska.

Të dhënat tregojnë se në zyrën doganore Posta Shkup, në vitin 2018 kanë arritur 4,392 dërgesa, ndërsa në gjashtë muajt e parë të vitit 2019 kanë arritur dhe 2.811 dërgesa, që tregojnë se numri i dërgesave po rritet me një tempo prej rreth 30 përqind. Ky numër do të vazhdojë të rritet dhe kjo krijon një sfidë shtesë për dixhitalizimin dhe automatizimin e zyrave postare

– Patjetër duhet që në mënyrë shtesë të punojmë në lehtësimin e proceseve, lëvizjes së lirë të mallrave, por në të njëjtën kohë të bëhen kontrolle të përforcuara dhe në bazë të analizave për rrezik të mund të shkurtohet kohëzgjatja e tyre – tha Angellovska.

Pritet që skaneri për dy deri në tre ditë të shkurtojë procedurën për dërgimin e dërgesave të vogla tek shfrytëzuesi përfundimtar, si dhe të zvogëlojë shpenzimeve e qytetarëve, sepse dërgesat për të cilat vërtetohet se nuk janë të dyshimta, do të lëshohen pa mbajtje dhe pa shpenzime shtesë.

Skaneri me vlerë prej 59.000 dollarë është donacion nga Ambasada e SHBA-ve në Republikën e Maqedonisë së Veriu dhe është pjesë e donacionit të paisjeve prej 80.000 dollarë, në të cilën përfshihet edhe trajnimi i të punonjësve. Ambasada e SHBA-së nëpërmjet Progamit EXBS gjatë viteve të kaluara i ka dhuruar Drejtorisë Doganore pajisje operative me vlerë mbi 2 milionë dollarë, me qëllim të përmirësimit të punës së përgjithshme doganore.

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Comments are closed.