Grupacioni i Bankës Botërore (www.worldbank.org) është një nga institucionet kryesore në botë në luftën kundër varfërisë dhe përmirësimin e standardeve të jetesës së njerëzve në vendet në zhvillim. Eshtë bankë për zhvillim që ofron hua, këshillëdhënëse në mbështetjen e politikavе, ndihmë teknike dhe shërbime të dedikuara në shkëmbimin e njohurive.
Banka Botërore është një nga agjencitë e specializuara të Kombeve të Bashkuara e cila ka 189 vende anëtare si aksionerë. Numri i aksioneve që mund të ketë një vend, bazohet përafërsisht në madhësinë e ekonomisë së tij. Qeveritë – aksionarë në Bankën Botërore përfaqësohen nga Bordi i guvernatorëve si krijuesi kryesor i politikave, i cili delegon detyra specifike të 25 drejtorëve ekzekutiv. Presidenti i bankës kryeson mbledhjet e Bordit drejtues dhe është përgjegjës për menaxhimin e përgjithshëm të bankës.
Grupacioni i Bankës Botërore përbëhet nga pesë institucione:
- Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD) punon për të ulur varfërinë në vendet me të ardhura mesatare dhe vendet më të varfëra, duke nxitur një zhvillim të qëndrueshëm përmes huave, garancive dhe shërbimeve analitike;
- Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA) financon vendet më të varfëra me qëllim për të ulur varfërinë duke siguruar hua pa interes dhe grante sipas disa kritereve të pranuara;
- Korporata financiare ndërkombëtare (IFC), si burim më i madh multilateral i huave dhe financim me kapital aksionar për projektet e sektorit privat në vendet në zhvillim, nxit zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit privat, kryesisht përmes financimit të projekteve, ndihmë për kompanitë private që të mobilizojnë mjete finaciare ne tregun financiar ndërkombëtar dhe siguron ndihmë teknike për aktivitetet afariste dhe qeveritë;
- Agjencia multilaterale e garantimit të investimeve (MIGA) siguron investitorët nga rreziqet politike ose jokomerciale, ndërmjetëson në kontestet midis investitorëve dhe qeverive, këshillon qeveritë për tërheqjen e investimeve;
- Qendra Ndërkombëtare për zgjidhjen e kontesteve të investimeve (ICSID) zgjidh kontestet e investimeve midis investitorëve të huaj dhe vendeve të tyre .
Republika e Maqedonisë së Veriore u bë anëtare e Bankës Botërore në vitin 1993 dhe është pjesë e konstituencës holandeze. Misioni i Bankës Botërore në Republikën e Maqedonisë së Veriut përqendrohet në inkurajimin dhe mbështetjen e krijimit të vendeve të reja të punës, si dhe në përmirësimin e standardeve të jetesës përmes implementimit dhe financimit të projekteve, shërbimeve konsultative dhe kërkimeve në drejtim të ndërtimit të kapaciteteve, zhvillimin e burimeve njerëzore dhe investimet në infrastrukturë (www.worldbank.org.mk).
Deri më tani, Banka Botërore është treguar si një partner jashtëzakonisht besnik dhe i përkushtuar, i cili ka dhënë një kontribut të veçantë në reformimin dhe modernizimin e të gjitha segmenteve të ekonomisë së vendit. Ndihma aktuale nga Banka Botërore zbatohet në përputhje me përparësitë e përcaktuara në Strategjinë e Partneritetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bankën Botërore për periudhën e viteve 2019-2023.
Sipas Strategjisë për Partneritet të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bankën Botërore, ndihma nga ky institucion ndërkombëtar përqendrohet si më poshtë:
- Rritja e orientuar drejt eksportit: Përmirësimi i mjedisit jetësor për sektorin privat konkurrues
- Rritja gjithëpërfshirëse: Zgjerimi i aftësive dhe mundësive për kategoritë më të prekshme
- Rritja e qëndrueshme: Përmirësimi i qëndrueshmërisë dhe ndërtimi i rezistencës ndaj goditjeve.
Megjithëse pjesa më e madhe e ndihmës së Bankës Botërore në Republikën e Maqedonisë së Veriut përbëhet nga huatë e IBRD-së, të cilat krijojnë detyrim për shlyerjen e tyre, Banka Botërore përmes projekteve të saj të qëndrueshme ka një rol të rëndësishëm në komunitetin e donatorëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Grupacioni i Bankës Botërore është i pranishëm në Republikën e Maqedonisë së Veriut edhe përmes shërbimeve të IFC-së (www.ifc.org) dhe MIGA (www.miga.org).
Projektet aktuale të financuara me hua nga Banka Botërore në Republikën e Maqedonisë së Veriut