24 shtator, 2020, Shkup – Mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar ka një rëndësi të madhe sa i përket reformave të ndërmarra në pjesën e financave publike, si dhe Ligjit të ri për buxhete i cili është në fazën përfundimtare të përgatitjes dhe në periudhën e vijuese do të jetë në Regjistrin e Vetëm Nacional Elektronik të rregulloreve të Republikës së Maqedonisë së Veriut – RNER, si dhe sistemi i integruar i informacionit për menaxhimin e financave publike. Kjo u theksua në takimin e sotëm, midis ministrit të Financave Fatmir Besimi dhe ambasadores së Mbretërisë së Bashkuar Rejçel Gallovej.
Me mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar, si dhe përmes projektit tuining përmes IPA-s, janë përgatitur reforma të rëndësishme, të cilat do të sjellin ndryshime thelbësore në sektorin e financave publike, si buxhetimi afatmesëm, sistemi i integruar që do të vijojë nga planifikimi deri te realizimi, si dhe rritjen e transparencës dhe kontrollit përmes formimit të Këshillit Fiskal.
Në takim u theksua se Ligji i ri për buxhetet është në fazën përfundimtare të përgatitjes dhe se në periudhën e ardhshme, Ministria e Financave, në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar, si dhe përmes projektit tuining IPA përmes BE-së, do të vazhdojë përgatitja e akteve nënligjore, udhëzimeve, doracakeve, etj., qëllimi i së cilit është operacionalizimi i Ligjit të ri për buxhetet dhe përmirësime të mëtejshme të sistemit për menaxhimin e financave publike.
Ministri i Financave Besimi sqaroi se këto reforma janë pjesë e konceptit SMART të financave publike që do të zbatohen në periudhën e ardhshme katërvjeçare dhe që do të synojnë planifikimin strategjik dhe matjen e rezultateve, njëkohësisht duke zbatuar një nivel të lartë të transparencës fiskale.
Në këtë takim u diskutuan edhe sfidat me të cilat përballen vendet dhe ekonomia globale me krizën e kovidit dhe gjithashtu u theksua angazhimi për thellimin e bashkëpunimit bilateral në disa sfera midis dy vendeve mike.