“Shfrytëzimi i mjeteve virtuale me vlerë të njohura si “kriptovaluta” do të rregullohet me ligj. Aktualisht, Ministria e Financave, së bashku me Njësinë e inteligjencës financiare, si dhe rregullatorët dhe supervizorët financiarë po punojnë për t’i përcaktuar të gjitha aspektet që dalin nga ky fenomen i ri. Zgjidhjet do të zbatohen në Ligjin e ri për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, tha ministri i Financave, Fatmir Besimi në një ngjarje të organizuar me rastin e shënimit të fillimit të projektit “Forcimi i kapaciteteve të Drejtorisë së inteligjencës financiare të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, financuar nga Mbretëria e Hollandës.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme sepse nëse nuk rregullohen me ligj, nuk përcaktohet statusi i tyre juridik, qëllimet për shfrytëzimin e tyre, mënyra e transferimit dhe vënia në dispozicion i tyre dhe nëse nuk kemi qasje se kush i blen dhe i shet, ata do të keqpërdoren, veçanërisht për qëllime në lidhje me pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.
Ministri i Financave theksoi se progresi i vazhdueshëm në luftën kundër pastrimit të parave është shënuar në raportet e Institutit të njohur Bazelit dhe në të cilin bazuar në “indeksin AML” (Basel anti money laundering index) Republika e Maqedonisë së Veriut renditet në mesin e vendeve me rrezik të ulët të pastrimit të parave.
Aktualisht, në kuadër të Regjistrit Qendror është duke u vendosur edhe regjistri i pronarëve të vërtetë që do të mundësojë që organet shtetërore, bankat dhe të gjitha subjektet që janë të detyruara të zbatojnë masa dhe veprime për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit në një mënyrë të thjeshtë dhe në çdo kohë të njohin identitetin e vërtetë të pronarëve të kompanive. Një regjistër i tillë, do të mundësojë transparencë më të madhe në ekonominë e përgjithshme e cila do të sjellë rritjen e sigurisë në qarkullimin ligjor.
Ngjarja u drejtua gjithashtu edhe nga ambasadori i Mbretërisë së Hollandës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Dirk Jan Kop, drejtori i DIF, Blazho Trendafilov dhe Sefer Selimi, Drejtor i “Demokraci Lab” zbatues të projektit “Forcimi i kapaciteteve të Drejtorisë së inteligjencës financiare.”
Drejtori i Drejtorisë së inteligjencës financiare, Trendafilov, falënderoi Ambasadën e Mbretërisë së Hollandës dhe “Demokraci Lab” për mbështetjen që i japin vendit tonë në përmirësimin e sistemit për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
“Mendoj se zbatimi i këtij projekti do të kontribuojë në përmirësimin e sistemit të përgjithshëm dhe gjithçka që do të thotë luftë për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit, veçanërisht në pjesën e zbatimit efektiv dhe efikas të masave restriktive ndërkombëtare që përfaqësojnë detyrime të rëndësishme që dalin nga standardet ndërkombëtare” – theksoi Trendafilov.