24 tetor, viti 2019, Shkup – Zbatimi i teknologjive të reja lehtëson qarkullimin e shpejtë të njerëzve, mallrave dhe transportuesve, duke kontribuar në kontrollin më efektiv të rrezikut, uljen e shpenzimeve dhe thjeshtëzimin e procedurave doganore. Jetojmë në një univers dixhital, në të cilin asnjë shtet nuk ka kohë për humbje. Duhet të mësojmë shpejt, të përgatitemi për një reagim të shpejtë ndaj ndryshimeve, sepse nuk ka rrugëdalje tjetër për përparim.
Ka një dekadë përpara nesh, në të cilën autoritetet, biznesi, bashkësia akademike dhe të gjithë ne si qytetarë do të duhet të dëshmojmë se jemi në gjendje të përballojmë ndryshimet e vazhdueshme. Që të jemi në gjendje të shfrytëzojmë fuqinë dhe potencialin e dixhitalizimit, duhet ta përgatisim administratën. Duhet të fillojmë me ndërtimin e kapaciteteve tona urgjentisht sepse nëse ndalemi, kthehemi prapa, tha ministrja e Financave Nina Angelovska në mbylljen e Konferencës së 14-të për partneritet në kërkimin dhe zhvillimin e doganave – PIKARD, e mbajtur këtë vit në Shkup, me temën ” Kufij të zgjuar për tregti, udhëtime dhe transport të papengueshëm”.
Teknologjitë e reja hapin mundësi më të mëdha për rritje ekonomike, inkluzion dhe investim të mëtutjeshëm. Përdorimi efektiv i të dhënave në një mjedis dixhital është kyçe për marrjen e politikave që mund të përmirësojnë jetën e secilit në mënyrë të drejtë dhe të matur. Pra, burimi më i vlefshëm në botë nuk është më nafta, por të dhënat, por nëse nuk janë të azhurnuara, nuk mund të përdoren. Për të krijuar vlera, ato duhet të rregullohen dhe të analizohen. Avancimi në shkencën e të dhënave na jep mundësi të zbulojmë modelet e fshehura, lidhjet dhe marrëdhëniet shkak – pasojë pas sjelljeve të caktuara të biznesit. Që të arrihet kjo është e nevojshme që të azhurnohen vazhdimisht sistemet doganore, në mënyrë që të përmirësohet dhe drejtohet menaxhimi doganor, duke filluar me dokumentacionin, përmes monitorimit, analizimit dhe monitorimit të qarkullimit të mallrave – tha ministrja Angelovska.
Ajo falënderoi Doganën e Republikës së Koresë për projektin, i cili do të mbështetet nga Banka Botërore, me vlerë mbi gjysmë milionë euro, me të cilin do të mundësohet ndërtimi i kapaciteteve në fushën e kontrollit të dërgesave të shpejta, zbulimin e flukseve financiare të paligjshme dhe analizën e rrezikut të përfshirë në tregtinë elektronike. Drejtoria doganore do të ketë informacione paraprake se cilat mallra arrijnë përmes tregtisë elektronike në Postë dhe informacionin do të mund ta vendos në sistemin e analizës së të dhënave. Kështu, nëse një person pranon mallra të caktuara çdo javë përmes furnitorëve globalë, për Doganën do të jetë e qartë se bëhet fjalë për biznes dhe jo për përdorim privat.
-Drejtoria doganore ka filluar procesin e dixhitalizimit. Regjistrimi elektronik i deklaratave dhe dokumenteve të akcizës, që filloi nga mesi i vitit është një nga arritjet më të rëndësishme të Doganës në vitet e fundit, duke siguruar një mjedis pa letër dhe duke zvogëluar barrën administrative për pjesëmarrësit në procedurë. Por, ky është hapi i parë. Ajo që vijon së afërmi është shndërrimi në një formë lehtësisht të lexueshme të të gjitha të dhënave që përmbajnë fatura elektronike. Kjo do të mundësojë analizën e të dhënave, me çrast Drejtoria doganore do të bëjë të mundur pranimin, ruajtjen dhe përpunimin e formave të tilla heterogjene të të dhënave, të cilat më pas mund të bashkohen për qëllime analitike. Kjo është një proces që do të mundësojë që doganieri, me vetëm disa prekje të tastierës, të marrë të dhënat e nevojshme për import të caktuar, eksport ose tranzit.
Dixhitalizimi i mëtutjeshëm i Doganave do t’i mundësojë ministrisë së Financave të krijojë politika më të mira tatimore dhe doganore – theksoi ministrja.
Sipas Angelovskës, termat si shkenca e të dhënave, mësimi makinerik, teknologjia bllokçein dhe të dhëna të shumta që shpesh dëgjohen në konferencën e PIKARD, tregojnë se e ardhmja tashmë ka filluar dhe se dixhitalizimi është çelësi për të hyrjen e ekonomive të vogla në flukset e tregtisë moderne.