16 korrik 2019, Shkup – Për herë të parë do të rregullohen me ligj marrëveshjet për furnizime publike në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, që kanë të bëjnë me furnizimin e pajisjeve ushtarake dhe pajisjeve të ndjeshme të sigurisë. Këtë e theksoi zëvendësministrja e Financave Shiret Elezi në debatin e komisionit në Kuvend për Ligjin e ri për furnizime publike në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Ajo vuri në dukje se përveç harmonizimit me Bashkimin Evpropian, miratimi i këtij ligji do të kontribuojë në rrumbullaksimin e reformës gjithëpërfshirëse të sistemit të furnizimeve publike, që do të sigurojë shpenzime racionale të mjeteve publike, transparencë dhe konkurrencë të ndershme.
– Pajisjet ushtarake si dhe pajisjet e ndjeshme të sigurisë janë vendimtare për sigurinë dhe sovranitetin e secilit vend. Furnizimi i mallrave, shërbimeve dhe punëve në sektorin mbrojtës dhe të sigurisë është një natyrë e ndjeshme, kështu që lind nevoja për vendosjen e kërkesave specifike që kanë të bëjnë me sigurinë e furnizimit dhe sigurisë së të dhënave. Pra, kur marrëveshje kërkojnë ose përmbajnë informata të klasifikuara, organi kontraktues në dokumentacionin e tenderit vendosen masat dhe kushtet që operatorët ekonomik duhet të plotësojnë dhe janë të domosdoshme për të garantuar mbrojtjen e informatave të tilla – tha Elezi.
Elezi theksoi se marrëveshjet për furnizime publike në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, ndahen përmes zbatimit të procedurës së kufizuar, procedurë të negociuar me publikim të shpalljes, procedurë të negociuar pa publikim të shpalljes dhe dialogut konkurrues.
– Karakteristikë për këto procedura është se të gjitha ato zhvillohen në dy faza dhe mundësojnë përzgjidhjen e operatorëve të aftë ekonomikë, të cilët në tërësi i përmbushin kërkesat e organit kontraktues, pa shkelur parimet e transparencës, trajtimit të barabartë dhe konkurrencës së ndershme – tha Elezi.
Zëvendësministrja Elezi theksoi se duke pasur parasysh kompleksitetin dhe specifikat e këtyre marrëveshjeve, oferta më e favorshme ekonomikisht është kriteri për dhënien e tyre. Aplikimi i këtij kriteri mund të përfshijë tre qasje të ndryshme: vetëm çmimi, vetëm shpenzimet duke përdorur një qasje ekonomike si shpenzimet e ciklit të jetës ose raporti më i mirë i çmimeve dhe cilësisë. Pa marrë parasysh se cila qasje është përdorur, gjatë vlerësimit të ofertave duhet të përfshihet gjithmonë një element ekonomik, sqaroi Elezi.
Elezi tha se ligji parashikon një detyrim për monitorimin e detyrueshëm gjatë realizimit të marrëveshjeve.
-Duke pasur parasysh se bëhet fjalë për marrëveshje më komplekse në realizimin e të cilëve mund të përfshihen disa nënkontraktues, të zgjasë më shumë dhe të shpenzojnë shumë burime është thelbësore që duhet menaxhuar siç duhet.
Vendosen një sërë rregullash antikorruptive dhe rregulla me të cilat do të parandalohet përplasja e interesave gjatë kryerjes së furnizimeve publike dhe do të sigurohet integriteti i të gjithë procesit të dhënies së marrëveshjeve për furnizimet publike në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë – theksoi Elezi.
Elezi konkludoi se miratimi i këtij ligji do të munësojë procesin e dhënies së marrëveshjeve për furnizime publike në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, duke filluar nga planifikimi, zbatimi i procedurave të furnizimeve publike, lidhja dhe realizimi i marrëveshjeve, të jetë transparent, ekonomik dhe efikas nga njëra anë, por njëkohësisht, nga ana tjetër, të sigurojë mbrojtje të interesave të sigurisë së vendit dhe informatave me karakter të besueshëm.