13 korrik 2019, Shkup – Mbi 12 miliardë denarë apo 196 milionë euro u injektuan në ekonomi në gjysmën e parë të vitit përmes kthimit të rregullt dhe joselektiv të TVSH-së për firmat. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, kthimi i TVSH-së për firmat, që nga muaji qershor është rritur me rreth 20% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ose me pothuajse 2 miliardë denarë.
Nëse bëhet krahasimi me vitin 2017, kthimi i TVSH-së në gjysmëvjetorin e parë është më i lartë për 3.2 miliardë denarë ose rreth 37%. Në krahasim me vitin 2016, kthimi është për 4.9 miliardë denarë më i lartë, ose 69%.
Zëvendësministrja e Financave Shiret Elezi, thotë se me kthimin e rregullt dhe joselektiv të TVSH-së, përmirësohet likuiditeti i firmave.
– Kthimi i TVSH-së në kohë dhe në mënyrë joselektive është i rëndësishëm për punën operative dhe pa pengesë të firmave, por edhe për aktivitetin e tyre investues. Prandaj, Drejtoria e të Ardhurave Publike bëri një Modul për kthimin automatik të tatimit për të gjithë tatimpaguesit. Qëllimi kryesor është që në mënyrë të saktë dhe në kohë të kryhet kthimi për të gjithë tatimpaguesit, deklaroi Elezi.
Zëvendësministrja e Financave, thekson se tendencat pozitive në ekonomi shihen edhe përmes arkëtimit të tatimit të të ardhurave tatimore, duke përfshirë edhe TVSH-në. Ajo shton se forcimi i aktivitetit të firmave tregohet nëpërmjet rritjes së lartë të investimeve bruto nga 9.9% në tremujorin e parë të vitit 2019.