23 prill 2020, Shkup – Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN-ja) ka siguruar mbështetje të konsiderueshme përmes Instrumentit për financim të shpejtë, në vlerë prej rreth 176 milionë euro dhe do të ofrojë mbështetje sipas mundësive që t’i përgjigjet në mënyrë sa më të përshtatshme sfidave dhe sa më shpejt që të jetë e mundur të vijë deri tek rimëkëmbja e ekonomisë maqedonase. Bazat ekonomike janë të shëndosha dhe masat e ndërmarra janë të përshtatshme dhe do të kontribuojnë që ekonomia t’i bëj ballë goditjes nga pandemia e covid-19.
Këto janë një pjesë e porosive nga takimi midis guvernatores së Bankës Popullore, Anita Angellovska Bezhoska dhe ministres së Financave Nina Angellovska, me drejtorin e Departamentit për Evropën të FMN-së Poll Tomsen, në kuadër të takimeve praverore të FMN-së dhe Bankës Botërore, të cilat këtë vit mbahen në mënyrë elektronike.
Siç u theksua në takim, gjendja me virusin korona këtë vit do të rezultojë me rënie të aktivitetit të të gjitha ekonomive në nivel global. Kjo tashmë tregohet qartë nga projeksionet e FMN-së. Por rënia e ekonomisë maqedonase dhe ekonomitë në zhvillim në përgjithësi do të jetë më e vogël në krahasim me atë që pritet në ekonomitë e zhvilluara. Nëse në nivel global, kriza e shkaktuar nga virusi korona zvogëlohet deri në mes të vitit, vitin e ardhshëm do të ketë rimëkëmbje të ekonomisë maqedonase dhe përshpejtim të rritjes së saj.
Gjatë ditës së djeshme, guvernatorja e Bankës Popullore, Angellovska Bezhoska dhe ministrja e Financave Angellovska, gjithashtu morën pjesë në mbledhjen e Konstituencës së FMN-së dhe Bankës Botërore, në të cilën vendi ynë është anëtar. Diskutimi u përqëndrua në sfidat me të cilat përballen vendet e Konstituencës, me theks të veçantë rajonin tonë.
FMN-ja edhe në periudhën e ardhëshme do të monitorojë zhvillimet në ekonominë maqedonase dhe do të jetë në komunikim të vazhdueshëm me Bankën Popullore dhe Ministrinë e Financave.