16 shtator 2019, Shkup – Reforma e financave publike është duke u intensifikuar. Deri në fund të vitit 2019 pritet që të finalizohet Ligji i ri për buxhetet. Kjo u theksua sot në Dialogun e katërt të reformave në menaxhimin e financave publike në Ministrinë e Financave, kryesuar nga ministrja e Financave Nina Angelovska.
Programi për reforma në menaxhimin e financave publike po zbatohet tashmë për vit të dytë. Ai përfshin aktivitete në drejtim të përmirësimit të legjislacionit në disa fusha kryesore: planifikim dhe buxhetim, furnizime publike, kontroll të brendshëm financiar publik, menaxhim me borxhin publik dhe inspektim financiar në sektorin publik. Në mënyrë paralele me përgatitjen e rregullores po punohet edhe për forcimin e kapaciteteve të institucioneve.
“Një pjesë e axhendës ambicioze të përfshirë në programin e reformës është edhe sistemi i integruar i informacionit për menaxhim financiar që do të mundësojë monitorim dhe realizim më të mirë të të gjitha fazave të shpenzimeve publike nga shfrytëzuesit buxhetorë – nga furnizimi deri tek pagesa. Procesi është në fazën përfundimtare të përpilimit, ndërsa krijimi i dokumentacionit teknik pritet deri në fund të vitit 2019”, tha Angelovska në këtë takim.
Në takim u diskuta për zbatimin e reformave të parashikuara nga Programi për reforma në financat publike. Në të morën pjesë zëvendëskryeministri Koço Angjushev, ministri i Shoqërisë së infoormatike dhe administratë Damjan Mançevski, udhëheqësi i Sektorit për bashkëpunim në Delegacionin e BE-së Nikolla Bertolini, zëvendësministrja e Financave Shiret Elezi, drejtori i Drejtorisë së të ardhurave publike, të Entit shtetëror për realizim dhe Entit shtetëror për statistikë, ekspertë, përfaqësues të institucioneve relevante dhe nga sektori joqeveritar.
“Kjo reformë është një sfidë e madhe që e ndërmerr Qeveria jonë, me qëllim që të arrijmë transparencë dhe efikasitet më të madh në funksionimin e të gjithë përdoruesve të buxhetit. Një axhendë e tillë ambicioze kërkon përpjekje të përbashkëta, përafrim të qëndrimeve të të gjithë palëve të interesuara, një qasje gjithëpërfshirëse, angazhim të fortë dhe vizion të përbashkët. Jemi të përkushtuar që të vazhdojmë me një ritëm edhe më të fortë me qëllim të zbatimit të aktiviteteve të parashikuara “- tha ministrja e Financave Angelovska.
Përveç anës së planifikimit, ligji përmirëson edhe monitorimin e realizimit të buxhetit përmes vendosjes së rregullave fiskale dhe themelimit të Këshillit fiskal.
Njëkohësisht, në vijim është edhe përgaditja e ligjit të ri me të cilin do të përmirësohet efikasiteti dhe transparenca e menaxhimit të mjeteve publike nga ana e institucioneve. Bëhet fjalë për Ligjin e ri për kontrollin e brendshëm financiar publik.
Udhëheqësi i Sektorit për bashkëpunim në Delegacionin e BE-së Nikolla Bertolini e përshëndeti përkushtimin dhe angazhimin e Qeverisë për zbatimin e programit të reformave në menaxhimin e financave publike. Gjithashtu u mirëpritën edhe aktivitetet që realizohen në drejtim të përmirësimit të sistemit të financave publike në vend, përkatësisht cilësinë dhe llogaridhënien në menaxhimin e parasë publike.
U konkludua se zbatimi i reformave të menaxhimit të financave publike do të koordinohet me reformën e administratës publike dhe do të vazhdohet me dialog të rregullt, gjithëpërfshirës dhe transparent me të gjithë palët e interesuara.
Përndryshe, Programi i reformës për menaxhim me financat publike 2018-2021 është strategjia e parë gjithëpërfshirëse nga fusha e menaxhimit në financa publike. Reformat në të duhet të kontribuojnë për arritje të 7 objektivave të mëposhtme: Përmirësimin e kornizës fiskale përmes avancimit të projektimit, përmirësimin e arkëtimit të të ardhurave dhe njëkohësisht thjeshtimin dhe përmirësimin e shërbimeve të institucioneve kompetente, avancim i procesit të planifikimit dhe buxhetimit, përmirësimi i realizimit të buxhetimit, rritjen e transparencës, rritjen e kontrollit të brendshëm të institucioneve, si dhe kontrollin e jashtëm dhe mbikëqyrjen parlamentare.