24 prill 2020, Shkup – Nga dita e mërkurë, datë 29 prill, kompanitë mikro, të vogla dhe të mesme nga të gjitha veprimtaritë e prekura nga kriza Covid-19, do të mund të aplikojnë për 8 milionë euro kredi pa interes, përmes Bankës së Zhvillimit të Maqedonisë së Veriut. Kreditë nga kjo linjë do të jetë deri në 90.000 euro, ndërsa kushtet dhe procedura e aplikimit janë lehtësuar. Në prezantimin publik të linjës së re pa interes e cila është masë antikrizë për menaxhim kundër krizës së koronës, morën pjesë ministrja e Financave Nina Angellovska, drejtori i Bankës për Zhvillim Kire Naumov dhe drejtoresha e Regjistrit Qendror Marija Boshkovska Jankovski.

Për këtë linjë të kreditit mund të aplikojnë të gjitha kompanitë e prekura që kanë një ulje të të ardhurave për më shumë se 30% në muajin e fundit, për shembull në muajin mars në krahasim me muajin e njejtë të vitit të kaluar ose me të ardhurat mesatare mujore në vitin 2019. Kompanitë duhet të jenë të regjistruara për më shumë se gjysmë viti, të mos kenë tatime dhe kontribute të papaguara deri më datë 31.01.2020, të mos jenë në proces të falimentimit ose likuidimit dhe të mos jenë në kategorinë e kredikërkuesve jashtëzakonisht të rrezikshëm.

Ministrja Angellovska theksoi se kreditë pa interes janë dedikuar për ruajtjen e vendeve të punës në firma dhe përmirësimin e likuiditetit të tyre.

-Për dallim nga linja e parë e kredisë – kjo është dedikuar për të gjitha veprimtaritë dhe vlera maksimale e kredisë është tre herë më e lartë në raport me linjën e parë e kredisë, përkatësisht vlera minimale e kredisë është 3.000 euro, ndërsa vlera maksimale është 90.000 euro. Shuma e kredisë përcaktohet sipas numrit të të punësuarve përfshirë prej datës 31.01.2020, përkatësisht paga minimale shumëzohet me numrin e të punësuarve edhe pas 3 muajve. Ashtu siç është edhe emri i linjës së kredisë – interesi është zero. Shpenzimet e aplikimit në Bankën e Zhvillimit gjithashtu nuk do të paguhen. Afati i shlyerjes është deri në 3 vjet, me grejs periudhë deri në 12 muaj, ndërsa sigurimi është me kambial – tha Angellovska.

– Aplikimi fillon ditën e mërkurën, datë 29 prill në mesnatë, ndërsa thirrja publike është në dispozicion prej sot në ueb faqen e internetit të bankës. Aplikimi do të jetë në mënyrë elektronike, sipas shembullit “Kovid1”. Edhe pse vlera e kredisë llogaritet sipas formulës 14.500 x 3 muaj x numri i të punësuarve, ndërmarrjet më të vogla nuk janë të harruara. Ndërmarrjet e mikro që kanë deri në 5 të punësuar do të mund të aplikojnë për kredi pa interes në vlerë prej 3.000 euro – tha Naumov.

E gjithë procedura e aplikimit për mjetet do të bëhet në mënyrë elektronike. Pjesa më e madhe e dokumenteve mund të gjenden në ueb faqen e internetit të Bankës së Zhvillimit, mes tyre aplikacionin, përkatësisht kërkesën e kredisë, deklaratën e lidhjes me personat fizikë/juridikë, deklaratën për ekzistimin e cilësisë së bartësit të funksionit publik dhe deklaratën për kontroll të ekspozimit të kredisë. Kompanitë do të parashtrojnë deri tek Drejtoria, kërkesë në mënyrë elektronike, për dëshminë e detyrimeve të paguara për gjendjen prej datës 31.01.2020.

Banka e Zhvillimit dhe Regjistri Qendror kanë lidhur edhe një marrëveshje për dokumentet që u nevojiten kërkuesve të kredive , përkatësisht Regjistri Qendror do ta jap pa pagesë gjendjen rrjedhëse për kërkuesit e kredive, dëshminë e procedurës së falimentimit, dëshminë e procedurës së likuidimit dhe listën e llogarisë përfundimtare për vitin 2019, theksoi drejtoresha e Regjistrit Qendror.

– Lehtësim shtesë është edhe ajo që në kushtet kur rekomandimet për mbrojtjen e shëndetit publik duhet të respektohen, palët nuk kanë nevojë të vijnë në Regjistrin Qendror që t’i marrin dokumentet e nevojshme, as t’i shfrytëzojnë shërbimet elektronike të institucionit tonë të cilat janë në dispozicion 24 orë. Në marrëveshjen që lidhëm me Bankën e Zhvillimit është parashikuar që dokumentet prej Regjistrit Qendror që u nevojiten kërkuesve të kredive, t’i marrin në mënyrë elektronike të punësuarit e Bankës së Zhvillimit – tha drejtoresha e RQM-së Boshkovska Jankovski.

Mjete e kredisë pa interes janë siguruar përmes fondit kompensues të Japonisë.

– I mbështes plotësisht masat e ndërmarra për përdorimin e 8 milionë eurove nga fondi kompensues nga Japonia për biznesin maqedonas, shpresoj që këto masa do tu ndihmojnë kompanive që të vazhdojnë të punojnë dhe vendet e punës të jenë të sigurta. Të gjitha vendet janë duke luftuar virusin e koronës aktualisht, dhe në këto periudha të vështira duhet të punojmë së bashku dhe të mbështesim njëri tjetrin. Sot, më vjen mirë që përsëri mund të riafirmojmë miqësinë e fortë midis Japonisë dhe Maqedonisë së Veriut – tha në një deklaratë me video, ambasadorja e Japonisë në vend Keiko Haneda.

Së bashku me linjën e re të kredisë, firmave u vendosen në dispozicion gjithsej 13.7 milionë euro kredi pa interes përmes Bankës së Zhvillimit. Deri më tani, nga linja e parë e kredisë Kovid 1 janë përpunuar kërkesat e 254 kompanive në vlerë prej 2.2 milionë euro në të cilën punojnë 2.853 të punësuar. Gjithashtu, përmes bankave komerciale do të vendosen në dispozicion edhe kreditë e lira me interes të subvencionuar prej 50 milionë euro.

Masat e miratuara nga Qeveria për mbështetjen e kompanive mund të grupohen sipas këtyre grupeve të mëposhtme të masave – lirimet tatimore siç janë: lirimi nga akontacionet të tatimit mbi fitimin dhe tatimit mbi të ardhurat personale, subvencione të kontributeve 50%, mbështetja e drejtpërdrejtë financiare për mbrojtjen e vendeve të punës, mandej masat për mbrojtjen e likuiditetit dhe ato rregullatore ose të ashtuquajturat masa të buta për qytetarët dhe ekonominë.

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Comments are closed.