|

12 prill 2023, Washington – Realizimi i projekteve të mëdha publike në fushën e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore, energjetika, si dhe mbrojtja e mjedisit jetësor janë prioritete të Qeverisë së RMV-së dhe Ministrisë së Financave, të cilat renditen lartë në listë. Për këtë qëllim në Buxhetin e këtij viti janë parashikuar 800 milionë euro për shpenzime kapitale, që është gati dyfish më shumë krahasuar me vitin paraprak, me ç’rast kanë filluar disa projekte, për të cilat janë siguruar mjete, përveç nga buxheti edhe nga kreditorët financiarë ndërkombëtarë.

Mundësitë e sigurimit të mjeteve financiare për projektet në të cilat po punon vendi ynë ishin temë e takimit të ministrit të Financave, Fatmir Besimi me Reta Joe Lewis, kryetare e Bordit të Drejtorëve të Bankës EXIM, ku morën pjesë: zëvendës – nënkryetarja Rita Murrell dhe nënkryetari i lartë, Ufo Eric Atuani.

“Bëhet fjalë për projekte strategjike infrastrukturore, të cilat zhvillohen gjatë disa viteve dhe që do të jenë shtytës të rëndësishëm të ekonomisë dhe do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit, i cili po përpiqet të bëhet anëtar i BE-së. Një cikël i rëndësishëm i projekteve investuese vijon, jo vetëm në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, por edhe në fushën e shëndetësisë, arsimit, dixhitalizimit dhe inovacioneve, investimeve të gjelbra etj. Gjithashtu, përveç mjeteve të siguruara nga Buxheti, me zbatimin e Planit të miratuar të Qeverisë për përshpejtimin e rritjes ekonomike, presim që t’i stimulojmë edhe investimet private, të cilat së bashku arrijnë vlerën prej rreth 12 miliardë eurove” theksoi ministri i Financave, Fatmir Besimi.

Ministri iu referua projekteve konkrete që po realizohen në vend dhe konstruksionit të tyre financiar dhe përkrahësve të këtyre projekteve siç janë Banka Botërore, BERZH-i, BEI-ja, Banka Zhvillimore KfW, UNDP-ja, fondet e BE-së etj, Ndërkaq, theksoi se portofoli i projekteve publike që realizohen në bashkëpunim me institucionet financiare ndërkombëtare në periudhën e ardhshme shtatëvjeçare, llogaritet të jetë rreth shtatë miliardë euro.

Gjithashtu, ai iu referua edhe aktiviteteve të cilat ndërmerren me qëllim të realizimit të suksesshëm të projekteve.

Në kuadër të vizitës së tij në SHBA, ministri i Financave, Fatmir Besimi, do të realizojë takime edhe në Thesarin e SHBA-së dhe do të marrë pjesë në Takimet pranverore të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Comments are closed.