EN
MK
AL
 

Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Dimitrieska-Koçoska: Siguruam kushte të favorshme për huamarrje, detyrimi ynë është ta ruajmë stabilitetin fiskal dhe t’i menaxhojmë mjetet publike në mënyrë racionale

Dimitrieska-Koçoska: Siguruam kushte të favorshme për huamarrje, detyrimi ynë është ta ruajmë stabilitetin fiskal dhe t’i menaxhojmë mjetet publike në mënyrë racionale

19 maj 2026, Shkup - Huamarrja e fundit e jashtme do të realizohet në kushte dukshëm më të favorshme, me norma interesi më të ulëta dhe me periudhë afatgjate maturimi, që është tregues i rritjes së besimit të institucioneve financiare ndërkombëtare në ekonominë maqedonase, theksoi ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, në intervistën për Televizionin Alfa.

Siç theksoi ministrja për Ligjin e Huamarrjes nga Bankat e Huaja, i cili ka hyrë në procedurë parlamentare, Ministria e Financave dërgoi kërkesë në 14 banka, nga të cilat kanë arritur tetë oferta. Sa i përket normave të interesit të marra për kredinë, ato janë shumë më të mira krahasuar me vendet e rajonit, që do të thotë se Ministria e Financave ka siguruar financim konkurrues.

“Sipas buxhetit të miratuar për vitin 2026, u theksua qartë se kemi plan për të marrë hua 1 miliard e 300 milionë euro në tregun e jashtëm, nga të cilat 1 miliard euro do të emetohen si euroobligacion, gjë që e bëmë në fillim të vitit dhe pjesa tjetër deri në 300 milionë euro mjete shtesë gjithashtu në tregun e jashtëm.

Në këtë proces, morëm oferta nga tetë banka të ndryshme, kurse oferta më e favorshme është me normë interesi më të ulët se ajo që aktualisht ka obligacioni i tregtuar në tregun sekondar”, tha Dimitrieska Koçoska dhe potencoi se krahasuar me rajonin, Maqedonia siguroi kosto më të ulëta të huamarrjes dhe periudhë më të gjatë të shlyerjes, gjë që e vendos vendin në pozicion më të favorshëm financiar.

“Mali i Zi ka normë interesi prej Euribor plus 2.5 përqind për kredi pesëvjeçare, ndërsa ne për kredi shtatëvjeçare morëm Euribor plus 2.1 pikë përqindjeje. Rumania, gjatë periudhës kur ne emetuam euroobligacionin, kishte normë interesi që ishte më e lartë se e jona, norma e tyre e interesit ishte diku mbi 5 përqind”, tha ministrja dhe shtoi se rezultatet e tilla janë dëshmi e menaxhimit të përmirësuar të financave publike dhe rritjes së besimit te kreditorët ndërkombëtarë.

“Duhet të them se bankat që morën pjesë në financim janë bankat evropiane, bankat nga Mbretëria e Bashkuar, të cilat janë gjithashtu banka me reputacion të lartë, gjë që tregon qartë besimin e madh të institucioneve të huaja financiare dhe të kreditorëve ndërkombëtarë në Maqedoni”, theksoi ministrja.

Ministrja theksoi se sa i përket kornizës fiskale, në Buxhetin për vitin 2026 janë paraparë mjete për servisimin e rregullt të borxhit publik, me ç’rast sigurohet stabilitet, parashikueshmëri dhe realizim në kohë të obligimeve, ndërsa gjendja e financave publike duhet të shihet përmes shifrave reale, krahasimeve dhe kontekstit të menaxhimit të detyrimeve.

“Maqedonia edhe më tej mbetet nën nivelin prej 60% të borxhit publik në raport me PBB-në, që është pozitë dukshëm më e mirë krahasuar me një pjesë të vendeve të rajonit dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Romania ka borxh publik rreth 63% të PBB-së, Hungaria rreth 75%, Polonia rreth 70%, ndërsa Sllovenia rreth 65%”, tha ministrja dhe potencoi se këto të dhëna tregojnë se vendi ynë ende mban  nivel të moderuar të borxhit dhe qasje të kujdesshme në menaxhimin e financave publike.

Sa i përket strukturës së huamarrjes, ministrja sqaroi se një pjesë e konsiderueshme e mjeteve të reja shfrytëzohen për servisimin e obligimeve ekzistuese dhe borxheve të arritura për pagesë, gjë që paraqet praktikë të rregullt për çdo shtet që duhet të sigurojë stabilitet financiar dhe vazhdimësi në shlyerjen e detyrimeve.

“Ajo që ka rëndësi është se Qeveria po udhëheq politika që huamarrjet e mjeteve të mos shfrytëzohen për shpenzime joproduktive, por para së gjithash të orientohen në investime kapitale, infrastrukturë dhe projekte që çojnë në rritje ekonomike dhe zhvillim afatgjatë”, tha ministrja.

Paralelisht me këto procese, siç tha Dimitrieska-Koçoska, në Ministrinë e Financave është në përgatitje e sipër rebalanci i Buxhetit.

“Në kuadër të përgatitjes së ribalancit të buxhetit po zhvillojmë bisedime intensive me të gjitha ministritë dhe po kryhen analiza për të parë nëse ka hapësira për kursime, ku mbetet e njëjta vijueshmëri në kuadër të limiteve dhe ku ka nevojë për mjete shtesë për realizimin e projekteve dhe politikave. Detyrimi ynë është ta ruajmë stabilitetin fiskal dhe në mënyrë racionale t’i menaxhojmë mjetet publike”, tha ministrja.

Финансиска едукација

Edukim financiar

Постави прашање

Bëj një pyetje

Одлуки на финансиска инспекција

Vendimet e Inspektimit Financiar

Анкетен лист

Fletëpyetje

Shpenzimet buxhetore gjatë periudhës zgjedhore

Raporti financiar para zgjedhor

Accessibility Menu