19 mars 2026, Shkup – Aktualisht nuk ka mungesë të naftës dhe derivateve të saj, si dhe nuk ka rritje të konsiderueshme të çmimeve si pasojë e drejtpërdrejtë e krizës. Sipas informacioneve nga terreni, të siguruara përmes kontrolleve të shtuara të Inspektoratit Shtetëror të Tregut, nuk janë konstatuar luhatje serioze të çmimeve, deklaroi ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska gjatë intervistës për Ditarin e Radiotelevizionit të Maqedonisë.
Ministrja tha se Qeveria i monitoron me kujdes zhvillimet ekonomike dhe është e gatshme të reagojë në kohë me masa adekuate, nëse paraqitet nevoja.
“Aktualisht, tek ne, nuk ka mungesë të naftës dhe derivateve të naftës. Qytetarët mund të furnizohen pa pengesa me karburant, që do të thotë se nuk ka bazë për vendosjen e masave kufizuese të atij lloji. Sa i përket çmimeve, ato vazhdojnë të jenë më të ulëta krahasuar me një pjesë të rajonit, gjë që është veçanërisht e rëndësishme për standardin e qytetarëve. Prandaj, nuk mund t’i ndërmarrim mekanikisht masat nga vendet e tjera, pa e marrë parasysh gjendjen tonë reale”, tha ministrja.
Në kushte të pasigurisë së madhe globale, të shkaktuar nga zhvillimet në Lindjen e Mesme, ministrja theksoi se sfida kryesore është paparashikueshmëria e krizës, duke qenë se as vendet evropiane nuk mund të japin vlerësime të sakta për kohëzgjatjen e saj.
“Në baza ditore funksionojnë më shumë se 30 ekipe inspektuese që e monitorojnë gjendjen në të gjithë vendin. Pjesa më e madhe e kompanive, pavarësisht nëse bëhet fjalë për prodhues, distributorë apo supermarkete që janë vizituar nga ISHT-ja, sipas konstatimeve në terren, nuk ka pasur ndryshime sa i përket çmimeve”. Ministrja theksoi se gjendja po monitorohet vazhdimisht dhe se më e rëndësishmja për Qeverinë është që të mos cenohet standardi i qytetarëve.
“Në kushte kur keni trashëguar një borxh të madh, nuk mund të flasim për ndonjë rezistencë të jashtëzakonshme. Por gjithmonë ekziston rregulli se cili është prioriteti ynë. Për ne prioritet janë qytetarët. Në kushte të tilla, Qeveria sigurisht që do të reagojë dhe do të ndërmarrë masa të përshtatshme”, theksoi ministrja.
Sa i përket rritjeve të caktuara te produktet ushqimore, si vaji për gatim dhe vezët, u theksua se ato janë rezultat i lëvizjeve të çmimeve botërore të lëndëve të para, dhe jo i gjendjes aktuale gjeopolitike.
Lidhur me politikën fiskale dhe zhvillimet globale, ministrja theksoi se prioritet i Ministrisë së Financave mbetet ruajtja e deficitit buxhetor brenda kufijve të planifikuar dhe nëse paraqitet nevoja, do të kërkohet hapësirë për kursime aty ku ka shpenzime joproduktive, ndërsa mjetet do të destinohen drejt prioriteteve.
Ajo informoi se Qeveria është në komunikim të vazhdueshëm me sektorin e biznesit dhe po i monitoron presionet e mundshme nga çmimet e importit, por për momentin nuk ka indikacione për nevojën e ndërhyrjeve urgjente.