Sot në Podgoricë, ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, e cila ndodhet në vizitë pune në Malin e Zi, u takua me homologun e saj malazez, ministrin e Financave Novica Vukoviç.
Tema kryesore e takimit ishte marrja zyrtare e kryesimit të Bordit Drejtues të Qendrës së Zhvillimit të Financave (CEF) nga Ministria e Financave e Republikës së Maqedonisë së Veriut, që deri më tani e ka pasur Ministria e Financave të Malit të Zi.
Ministrat diskutuan për prioritetet e ardhshme të CEF-it, në veçanti për rolin e institucioneve në avancimin e kapaciteteve të menaxhimit të financave publike, si dhe për rëndësinë e bashkëpunimit midis shteteve anëtare.
Vëmendje e veçantë iu kushtua planifikimit të buxhetit në kontekstin e rregullave fiskale të Bashkimit Evropian, respektivisht ruajtjes së nivelit të deficitit buxhetor nën 3% të PBB-së dhe borxhit publik nën 60%.
Ministrja Dimitrieska-Koçoska theksoi angazhimin e Maqedonisë për respektimin e këtyre kritereve, ndërsa ministri Vukoviç ndau përvojat e Malit të Zi në planifikimin buxhetor dhe monitorimin e disiplinës fiskale.
Gjithashtu, ata diskutuan edhe për masat e uljes së borxhit publik dhe luftimin e ekonomisë gri. Në këtë kontekst, u theksua edhe harmonizimi i rregullativës që lidhet me Drejtorinë e të Ardhurave Publike dhe Drejtorinë Doganore, me qëllim të përmirësimit të transparencës fiskale.
Ministrat shkëmbyen gjithashtu mendime mbi sfidat që lidhen me blerjet online nga jashtë, veçanërisht në aspektin e politikës doganore dhe tatimore, me ç’rast u shkëmbyen përvoja praktike nga të dyja vendet.
Së fundmi, u theksua nga të dyja palët gatishmëria për ta thelluar bashkëpunimin dypalësh dhe rajonal, si dhe ndarja e përvojave në procesin e integrimit evropian.
Bashkëngjitur është edhe linku me inserte video nga takimi.
Linku: https://we.tl/t-2cwQHuZbAW