29 prill 2026, Shkup - Sot, në Ministrinë e Financave u mbajt trajnimi me temë “Dorëzimi i të dhënave mujore mbi gjendjen e borxhit të ndërmarrjeve publike dhe shoqërive tregtare në pronësi dominuese shtetërore”, i organizuar nga Sektori i Akademisë së Financave Publike.
Trajnimi ishte i destinuar për të punësuarit e ndërmarrjeve publike dhe shoqërive tregtare në pronësi dominuese shtetërore të cilët janë të përfshirë në proceset e raportimit lidhur me huamarrjen, me qëllim të përmirësimit të njohurive dhe shkathtësive të tyre praktike për përgatitjen e duhur të planeve të amortizimit dhe plotësimin e saktë të Formularit M1 - raporti mujor për ndryshimet në secilën huamarrje të bartësve të borxhit publik.
Trajnimi u realizua nga eksperti i Sektorit të Menaxhimit të Borxhit Publik, i cili përmes qasjes interaktive, vështrimit teorik dhe shembujve praktikë, ofroi njohuri më të thella të kornizës ligjore dhe procedurave që lidhen me raportimin e borxhit publik. Theks të veçantë iu vu plotësimit të saktë të të dhënave në Formularin M1 dhe shmangies së gabimeve më të zakonshme në praktikë.
Përveç kësaj, pjesëmarrësit patën mundësinë që të shkëmbejnë përvoja dhe të diskutojnë për sfidat me të cilat përballen gjatë përgatitjes dhe dorëzimit të të dhënave mbi huamarrjen.
Përmes punës praktike dhe analizës së përbashkët u identifikuan praktika të mira për përmirësimin e saktësisë dhe informimit në kohë të raportimit.
Ngjarja kontribuoi në përmirësimin e cilësisë së të dhënave për borxhin publik dhe përforcimin e koordinimit institucional në procesin e raportimit.
Duke pasur parasysh rëndësinë e kësaj teme dhe interesin nga ana e institucioneve, Sektori i Akademisë së Financave Publike do të vazhdojë me organizimin e trajnimeve të tilla edhe në periudhën e ardhshme, me qëllim të përmirësimit të vazhdueshëm të njohurive dhe praktikave në këtë fushë.